“Problemet e shtëpisë diskutohen në shtëpi”/ Djali i Sokol Olldashit ia thotë në sy Berishës: Ata që flasin në foltoren tonë janë ‘tapë’ të pirë, s’dinë ç’thonë
Partia Socialiste ka reaguar ndaj deklaratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shkelje të afatit të parashikuar nga neni 28 pika 1 dhe 2 e Kodit Zgjedhor, nen ky që rregullon ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, KZAZ-të.
PS e cilësoi deklaratën e KQZ-së tërësisht keqinformuese për publikun dhe që sipas saj tregon se sa e politizuar është administrata e këtij organi. Socialistët pretendojnë se kanë dorëzuar propozimet e tyre brenda afatit që ka qenë ora 14:00 e ditës së hënë.
“KQZ në një qendrim krejtësisht politik ka keqinformuar opinionin publik. Partia Socialiste i ka dorëzuar propozimet për anëtarë të KZAZ-ve brenda afatit ligjor dhe afati për dorëzimin e propozimeve për anëtarët ka qenë sot deri në orën 14:00”, thuhet në deklaratën e PS-së.
Selia Rozë akuzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për qendrim krejtësisht politik dhe shpreh gatishmërinë për të përmbushur të gjitha kërkesat që burojnë nga Kodi Zgjedhor.
“Deklarata e këtij institucioni vërteton politizimin e administratës së këtij organi. Garantojmë të gjithë qytetarët për përmbushjen e të gjitha kërkesave të Kodit Zgjedhor”, thuhet në deklaratë.
Në bazë të Kodit Zgjedhor, të drejtën për të propozuar anëtarë të KZAZ-ve e kanë Partia Socialiste, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Në deklaratën e KQZ thuhet se përvec PS, të gjitha subjektet e tjera kanë dorëzuar në KQZ propozimet e tyre dhe i bëhet thirrje socialistëve që të dorëzojnë sa më parë propozimet e tyre për të nisur shqyrtimin për përputhshmërinë ligjore.
Top Channel