Meksikë, “mumjet” e drogës në mes të qytetit

11/03/2013 20:00

Pesë trupa të pajetë, të mbështjellë me çarçaf të bardhë, dy prej tyre të varur në një urë, ndërsa të tjerët të hedhur në mes të rrugës. Ngjarja makabre, por jo një risi, është verifikuar në qytetin Saltilo të Meksikës.

Sipas policisë lokale, disa nga viktimat ishin zhdukur që prej 6 marsit, kur një grup personash të armatosur i rrëmbeu. Njëri prej tyre ishte një murator 16 vjeç, tjetri një taksist, ndërsa i treti një mekanik.

Policia nuk e ka idenë përse ata ishin rrëmbyer, por ekspertët e krimit, duke iu referuar preçedentëve, janë të bindur se bëhet fjalë për një akt të karteleve të drogës, që luftojnë për kontrollin e territorit.

Krimet e lidhura me narko-luftën vazhdojnë, edhe pse autoritetet federale kanë deklaruar se muaji shkurt regjistroi kuotën më të ulët krahasuar me të njëjtin muaj në vitet e mëparshme, vetëm 941 vrasje.

Por në të vërtetë, situata në disa rajone të Meksikës vazhdon të jetë alarmante, me kartelet që herë pas here bëjnë aleancë dhe më pas bëjnë luftë sipas leverdive të tyre.

Bëhet fjalë për një moment destabiliteti serioz, me një shumëfishim të bandave kriminale, që vijnë si pasojë e krijimit të fraksioneve të ndryshme brenda karteleve të mëdha.

Organizata e udhëhequr nga Joaquin “El Chapo” Guzman është ajo që dominon tregun e drogës, por kjo nuk i ndalon grupet rivale që të zënë vendin e tyre në këtë treg fitimprurës, duke vrarë e masakruar.

Kufomat e braktisura në rrugën e qytetit të Saltilos janë sipas ekspertëve sinjale që paralajmërojnë se atje vepron një grup kriminal i caktuar, që nuk ndalet para asgjëje.

Dhe viktimat jo gjithmonë janë anëtarë të bandave. Kriminelët shpesh herë rrëmbejnë persona të rastësishëm dhe i eleminojnë për t’i përdorur si akte demonstruese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA