FSHF: Policia, përgjegjëse për sigurinë e lojtarëve

11/03/2013 00:00

Pas ngjarjeve të përsëritura të dhunës në futboll, Shefi i Sektorit të
Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit Besnik Çela ka listuar
personat të cilët mund të qëndrojnë në fushë gjatë ndeshjes.

“Në një ndeshje futbolli, sipas rregullores së veprimtarisë në ambientet pranë stadiumit dhe në momentet kur nis loja, kanë të drejtë të qëndrojnë vetëm gjashtë zyrtarë, shtatë lojtarë, të cilët mund të qëndrojnë në bankinë”, thotë Çela.

Shefi Çela ka pranuar gjithashtu se drejtuesit e klubeve përkatëse kanë të drejtë të futen në dhomat e zhveshjes para, në pushim dhe në fund të ndeshjeve të futbolli.

“Zyrtarë të klubit kanë të drejtë të futen tek dhoma e ekipeve të tyre para ndeshjes, në pushim të ndeshjes dhe në përfundim të ndeshjes, por gjithnjë pasi ekipet janë sistemuar brenda në pushim të lojës, kanë hyrë në dhomat e zhveshjes, arbitrat kanë hyrë në dhomat e zhveshjes dhe pasi korridoret të jenë bosh. Zyrtarët mund të hyjnë në dhomat e ekipeve të tyre dhe më pas të ngjiten në tribunë”, sqaron Çela.

Referuar edhe rastit të Kavajës, Çela ia faturon policisë rastet e dhunës që mund të ndodhin në korridoret e stadiumeve.

“Detyrimi është i policisë, e cila ka për detyrë që të sigurojë rendin dhe qetësinë në stadium”, shprehet Çela.

Top Channel