Venezuela caktoi 14 prillin, si datën në të cilën do të mbahen zgjedhjet presidenciale, që do të zëvendëojnë ish-presidentin e ndjerë, Hugo Chavez.
Lajmërimi u bë 24 orë pasi numri dy i shtetit, Nicolas Maduro, bëri betimin e tij si presidenti i përkohshëm i Venezuelës, shtetit të Amerikës së Jugut me 30 milionë banorë.
Ai mbetet gjithashtu favoriti për të drejtuar vendin me një mandat të ri 6-vjeçar.
President për 15 vjet me radhë, Chavez humbi një betejë të gjatë me kancerin në datën 5 mars.
Rivali i Maduros do të jetë sërisht Henrique Capriles, njeriu që humbi në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit 2012 përballë Chavez.
Në këto zgjedhje të konsideruara si transparente dhe demokratike nga SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar, Chavez grumbulloi 54% të votave, ndërsa Capriles 44%.
Zgjedhjet e 14 prillit pritet të jenë përcaktuese për të mësuar kursin e ri të Venezuelës, eksportuesit të katërt të naftës në botë, që prej politikës social-nacionaliste të Chavezit u ashpërsua me Uashingtonin dhe aleatët e tij.
Top Channel