Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi gjatë një takimi në qytetin e Durrësit me simpatizante të kësaj partie se politika duhet të gjejë konsensus për 3 ligjet.
Ai tha se zgjedhjet duhet të jenë demokratike dhe jo të egra.
”Zgjedhjet e 23 qershorit duhet të jenë demokratike, transparente dhe të drejta. Çdo qytetar duhet të votojë në mënyrë të lirë dhe demokratike për alternativën që ai beson se do t’u servirë një perspektivë dhe të ardhme më të mirë”, deklaroi Meta.
”Ndaj, unë i ftoj të gjithë kolegët e mi politikanë, të mos rrëmbehen nga pasioni për të fituar apo nga ankthi i humbjes. Përkundrazi, për ne është e rëndësishme të fitojnë qytetarët e Shqipërisë, të fitojë vendi”.
Kryetari i LSI-së, gjithashtu deklaroi se nuk mund te tolerohen me vonesa dhe stanjacion ne rrugen e integrimit europian.
”Sepse ne”, tha Meta, “nuk duam të humbasim trenin e radhës drejt Bashkimit Europian, sepse ne nuk duam që vendi të humbasë projekte të tëra dhe financime të cilat do të hapnin mijëra vende pune për të rinjtë në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë”.
Top Channel