Partia Republikane, aleatja historike e Partisë Demokratike, beson se në zgjedhjet e 23 qershorit, partitë e qendrës së djathtë duhet të hyjnë në zgjedhje me një formulë të re koalicioni parazgjedhor.
Në 2009, koalicionet e të dyja palëve u ndërtuan në bazë të listave, ku secila parti përfaqësohej me listën e vet të kandidatëve.
Atëherë, kryetarët e partive kishin mundësi të kandidonin në më shumë se një qark, por vetëm tre kryetarë të partive të vogla arritën të futeshin në parlament: Ilir Meta, Vangjel Dule dhe Fatmir Mediu.
Me ndryshimin e Kodit, kjo mundësi është hequr dhe përpara se të nisin bisedimet për koalicionet parazgjedhore, partitë e vogla po përpiqen të maksimalizojnë rezultatin e 2009-ës për një përfaqësim më të sigurt në 2013-ën.
“Unë mendoj se duhet të jetë një koalicion, që t’u japë shanse dhe mundësi subjekteve politike dhe individëve që garojnë, dhe jo të jetë një koalicion thjesht i rreshtuar në krah të PD-së, ku kostot i kanë subjektet politike dhe përfitimet i merr vetëm PD”, tha Mediu.
Fatmir Mediu e bën këtë llogari, duke iu referuar rezultatit të vitit 2009, që, për shkak të sistemit zgjedhor, nuk i siguroi republikanëve përfaqësim të drejtë proporcional mes peshës elektorale dhe vendeve në parlament.
“PR pati mundësinë që, në 2009 të përfaqësohej në Kuvendin e Shqipërisë. Edhe pse votat i jepnin tre mandate, morëm vetëm një. Ne do të jemi, sa të shpërndarë në të gjithë territorin, aq edhe racionalë për të bërë një politikë më të përqendruar, atje ku mendojmë të fitojmë. Por marrëdhëniet me PD, nëse do të ketë një koalicion, do të kushtëzohen nga këto lloj raportesh elektorale. Jo për t’i marrë, as për të na marrë, por për të patur një raport të drejtë e vlerësues, në mënyrë reciproke”, shtoi Mediu.
Zoti Mediu nuk preferon të flasë konkretisht për ndonjë formulë, përderisa tryeza e aleatëve të koalicionit qeverisës ende nuk është mbledhur zyrtarisht. Por, lë të kuptohet se një zgjidhje e drejtë do të ishte përfshirja në listat e Partisë Demokratike e kandidatëve të partive aleate, për të motivuar më shumë elektoratin e tyre.
“Unë jam për një marrëdhënie, që të kemi një të djathtë sa më të integruar. Kjo do të thotë që, një subjekt që garon, apo një individ që garon, të jetë sa më i motivuar për garën elektorale. Sepse, nëse do të ishte një shtojcë formale, të paktën në 70 përqind do të kishte firo të votave të elektoratit të vet, si individi garues edhe subjekti. Pra, mendoj se, nëse do të thellohemi dhe kemi mundësi për të gjykuar, ne mund të gjejmë edhe formula të një funksionimi racional. Nuk është shkrirje apo bashkim fizik i partive. Jam për një marrëdhënie integrale të partive”, përfundoi Mediu.
Top Channel