Shkodër, PS prezanton programin

09/03/2013 18:10

Partia Socialiste ka nisur t’i japë një dimension tjetër prezantimit të programit për një Rilindje Shqiptare nëpërmjet konferencave rajonale duke nisur nga Shkodra.

Përpara qytetarëve të kryeqendrës së veriut të Shqipërisë, deputetët dhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS-së, shpalosën me detaje atë që PS-ja nesër në qeveri do tu ofrojë shqiptarëve. Deputeti Ditmir Bushati u ndal në projektin e PS-së, Shqipëria Europiane.

Ai preku edhe rastin e letrës shqetësuese të publikuar nga Top Channel të ambasadorit shqiptar në Uashington, përfshi vizionin e PS-së për shërbimin diplomatik: “Letra është maja e ajsbergut e problemeve sepse ka shumë aspekte të tjera që kanë të bëjnë me paligjshmërinë dhe ne jemi të angazhuar për t’i dhënë fund një herë e mirë këtij shërbimi diplomatik. Do ta rimëkëmbim shërbimin diplomatik duke mos i çuar fondet tek kompanitë lobuese.”

Edi Rama e nisi fjalën e tij me një premtim drejtuar shkodranëve kur tha se Shkodra pas katër viteve të ardhshme të qeverisë socialiste do t’i ngjajë fotove të Marubit dhe jo një posteri të PD-s. Rama u ndal edhe në modelin që ofron kundërshtari politik Berisha që ka zgjedhur si slogan fjalën “përpara”: “Partia në pushtet bërtet “Përpara, përpara”, por unë pyes: përpara ku? Përpara ku 1 milionë të papunë të bëhen akoma më shumë; përpara ku të pasurit të paguajnë edhe më pak taksa, ndërsa njerëzit e thjeshtë edhe më shumë; përpara për të lënë pas fshatin e braktisur; përpara drejt thirrjeve nacionaliste që na kthejnë pas e na largojnë nga Europa; përpara drejt dyerve të spitaleve ku njeriu nuk shtrohet dot në spital se nuk ka lekë dhe kur ai ka, spitalet nuk kanë ilaçe; përpara drejt një Shqipërie që lëngon në plehra dhe importon të tjera nga jashtë; kjo është të ecësh përpara?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA