Kabul, atentat Ministrisë së Mbrojtjes

09/03/2013 00:00

Një atentat vetëvrasës ndaj Ministrisë së Mbrojtjes në Kabul ka vrarë të paktën 9 persona, në një kohë kur shefi i ri i Pentagonit po vizitonte qytetin.

Të paktën 20 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga shpëthimi, që u krye nga një atentator që po udhëtonte me biçikletë. Guerrilasit talebanë kanë marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel ndodhej për një vizitë në një bazë ushtarake amerikane diku tjetër në Kabul në momentin e shpërthimit.

Shefi i policisë së kryeqytetit afgan, Mohammad Zahir tha për BBC se ambulancat kanë shoqëruar në spital persona të shumtë të plagosur.

Dy nga të plagosurit ishin ushtarë të ushtrisë afgane, ndërsa të gjitha viktimat dhe të plagosurit e tjerë ishin civilë, ka thënë një zyrtar afgan për BBC.

Atentatori u hodh në erë pak para orës 04:30 me orën lokale, rreth 30 metra larg hyrjes së ministrisë. Një person nga vendi i ngjarjes, i identifikuar si Abdul Ghafoor, tha se shpërthimi kishte tronditur të gjithë zonën.

“Pash trupa të vdekur dhe të plagosur që shtriheshin kudo. Më pas filluan të shtënat dhe u largova nga zona”, deklaroi dëshmitari.

Ndërsa guerrilasit talebanë, në një email të postuar online, deklaruan se ishin ata pas sulmit dhe se e kishin ekzekutuar atë përpara një hyrjeje të ministrisë që përdoret nga ushtarët dhe oficerët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA