Venezuelë, trupi i Chavez do të balsamoset

08/03/2013 01:00

Trupi i presidentit të fundit të Venezuelës, Hugo Chavez, do të balsamoset dhe do të futet në një ekran të qelqtë, pas funeralit të tij, bëri të ditur zëvendës presidenti Nicolas Maduro.

Vendimi reflekton turmat e mëdha në pritje për t’i bërë respektet e fundit në Caracas, ku trupi i tij ndodhet aktualisht në ambjentet e zyrave të shtetit.

Trupi i Chavez-it do të dërgohet në një muze ushtarak pas funeralit të së premtes, shtoi më tej Maduro.

Hugo Chavez, i cili udhëhoqi Venezuelën për 14 vjet, ndërroi jetë të martën, pas një lufte të gjatë me kancerin.

Më shumë se 2 milionë vajtues kanë kaluar pranë trupit të tij, në akademinë ushtarake në Caracas, teksa kanë pritur me orë të tëra në radhë për këtë.

Liderë të vendeve të Amerikës Latine dhe përtej janë mbledhur në Caracas për funeralin e tij gjatë së premtes, teksa Maduro ka deklaruar se ceremonia do të zhvillohet siç ishte planifikuar.

Trupi i tij mund të balsamoset, “si Lenini dhe Mao Ce Duni”, dhe do të vendoset në një ekran të qelqtë për të paktën 7 ditë të tjera, shtoi Maduro. Trupi do të transferohet më pas në muzeun ushtarak të Caracas-it, ku Chavez, në atë kohë një oficer i ushtrisë, u kap në 1992, pasi udhëhiqte përpjekjen për grusht shteti, ngjarja e parë që e futi atë në arenën politike të Venezuelës.

Ndërtesa do të konvertohet në një “Muze të ri të Revolucionit”, tha Maduro. Mbështetësit e Chavez duan që trupi i tij të varroset në Panteonin kombëtar të Venezuelës, përkrah Simon Bolivar, liderin e Pavarësisë gjatë shekullit të 19-të, i cili shërbeu si inspirues i presidentit të fundit të ndarë nga jeta.

Por, Kushtetuta e Venezuelës përcakton se njerëzit mund të futen në Panteon, vetëm 25 vite pas vdekjes së tyre.

Qeveria venezueliane njoftoi se më shumë se 30 liderë botërorë, pjesa më e madhe nga Amerika Latine dhe vendet e Karaibeve, do të jenë pjesëmarrës në funeralin e mëngjesit të së premtes.

Mes tyre, do të jenë edhe presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff, dhe ai i Iranit, Mamhoud Ahmadinejad.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA