Senati amerikan ka konfirmuar John Brennan si drejtorin e ri të CIA-s, pas diskutimeve prej 13 orësh të senatorëve, të cilat vonuan votimin.
Senatori Rand Paul pyeti Senatin të mërkurën, nëse presidenti Obama kishte autoritetin e duhur për të urdhëruar sulmet me dronë, kundër amerikanëve në tokën amerikane. Prokurori i përgjithshëm, Eric Holder, repikloi duke deklaruar se presidenti nuk ka asnjë pushtet të tillë.
Disa nga nominimet e mandatit të dytë të Obama-s janë përballur me beteja të stërzgjatura konfirmimi me republikanët e Senatit.
“Me konfirmimin bipartizan të John Brennan, si drejtor të CIA-s, Senati njohu te John-i kualitetet, të cilat unë i kam vlerësuar aq shumë”, tha presidenti Barack Obama, përmes një deklarate. “Me eksperiencën 25-vjeçare të John-it në atë agjenci, njerëzit tanë të jashtëzakonshëm, burra e gra, te CIA do të udhëhiqen nga njëri prej tyre”.
Brennan ishte këshilltari kryesor kundër terrorizmit i presidentit Obama, teksa siguroi prej kohësh votat e nevojshme për të fituar konfirmimin. Por, votimi përfundimtar u ngadalësua prej fjalimit maratonë të senatorit Paul, i njohur si obstruksionist, dhe nga kërkesa e panelit të inteligjencës, për të parë dokumentat e Shtëpisë së Bardhë, që shtronin bazat ligjore për sulmet me dronë kundër shtetasve amerikanë, në zonat e luftimit anti-militante.
Brennan u konfirmua të enjten, pas votimit 63 pro dhe 34 kundër.
Top Channel