Pasdite me ambasadoren gjermane

08/03/2013 18:10

Me rastin e 8 marsit, festës së të gjitha grave dhe vajzave, “Pasdite” në “Top-Channel” ndau me shikuesit eksperiencën e dy prej femrave më në karrierë në vendin tonë.

Ato nuk janë shqiptare, por mund të flasin për Shqipërinë deri në detajet më të imta. Bëhet fjalë, për dy ambasadoret e dy vendeve më të fuqishme të Bashkimit Europian, Gjermanisë dhe Francës.

Nga mikpritja, tek udhëtimi i saj në Shqipëri në kohën e komunizmit dhe apeli për më shumë shanse të barabarta për gratë, ambasadorja Carola Muller-Holtkemper tregoi një përvojë me të vërtetë të veçantë.

Ambasadorja: Është ende herët për të thënë “mirëdita”, por më shumë për të thënë “mirëmëngjes”, por nga ana juaj është një mikpritje shumë e ngrohtë dhe faleminderit që erdhët.

Pasdite: Është një mikpritje e ngrohtë në një vend të ngrohtë. Faleminderit për mikpritjen.

Ambasadorja: Është kënaqësi që e pëlqeni. Patëm mundësinë të ndezim vatrën. Jashtë është pak freskët, por brenda duam të ndiheni sa më rehat.

Pasdite: Shoh një prekje femërore në çdo gjë të këtij vendi. Zakonisht jemi mësuar t’ju shohim si një grua e fortë, e rrethuar nga burra politikanë. Vë bast që keni një anë të butë që doni ta ndani me ne.

Ambasadorja: S’e di nëse është gjë e mençur të tregosh një anë të butë, por le të përpiqemi. Më bëni pyetje.

Pasdite: Keni ardhur para dy vjetësh në Shqipëri?

Ambasadorja: Pak më herët. Kam ardhur në gusht të vitit 2010.

Pasdite: Pra, bëhen dy vjet e gjysmë. Ndiheni e familjarizuar me Shqipërinë. Cilat ishin përshtypjet e para? i mbani mend?

Ambasadorja: Përshtypja e parë për Shqipërinë ka qenë në fakt rreth 30 vjet më parë, kur erdha si turiste. E vura Shqipërinë në listën e vendeve për përditësim, sepse isha kureshtare të shihja se si do të zhvillohej Shqipëria përgjatë kohës. Duhet të them që ka ndryshime të mëdha, por mikpritja e ngrohtë e shqiptarëve mbetet e njëjta. Kjo është një vlerë shumë e rëndësishme, diçka që ju dallon si popull.

Pasdite: Keni ardhur para 30 vjetësh, domethënë në kohën e komunizmit. Jeni nga Gjermania Lindore apo Perëndimore?

Ambasadorja: Jam nga Gjermania Perëndimore. Jam kapitaliste e lindur. Por, unë dhe bashkëshorti im ishim shumë kureshtarë dhe hamendësuam që ishte e pamundur të futeshim në Shqipëri. Mbaj mend që udhëtova në Greqi pak më parë dhe m’u desh të eci me makinë përreth Shqipërisë, nëpërmjet Jugosllavisë dhe Greqisë Veriore. Shqipëria ishte një vend i panjohur në hartë. Kur pashë një operator lindor turizmi që ofronte një udhëtim në Shqipëri, ne kërkuam menjëherë leje dhe e planifikuam udhëtimin.

Pasdite: Besoj se keni zbritur në Durrës, sepse ka qenë si stacion i detyrueshëm në atë kohë. Zbritët në Tiranë apo në Durrës për herë të parë?

Ambasadorja: U vendosëm në hotelin Adriatik, në Durrës. Që aty udhëtuam në Tiranë, Krujë, Berat… Vizituam edhe qytetin e Elbasanit e të Pogradecit, ku qëndruam një natë. Por vetëm jashtë hotelit që ekzistonte që në atë kohë dhe ishin si ekskursione.

Pasdite: Ju lejohej të flisnit me banorët vendas?

Ambasadorja: Kjo ishte shumë e kufizuar. Sigurisht, kishim dy udhërrëfyes që flisnin gjermanisht dhe anglisht, por kontakti me banorët vendas ishte i kufizuar në atë kohë.

Pasdite:  Ishte në dijeni regjimi që ishit diplomate apo s’ishit ende e tillë në atë kohë?

Ambasadorja: Në atë kohë punoja për Bankën Gjermane të Zhvillimit, KFV, që është aktive sot edhe në Shqipëri. Por sigurisht që s’e kisha idenë që një ditë do të kthehesha këtu si diplomate. Madje mendoja që as shqiptarët s’do të hapeshin për këtë mundësi.

Pasdite: Keni kontakte që nga ajo kohë? Ndonjë mik të afërt?

Ambasadorja: Po, miq shumë të afërt.

Pasdite: Besoj se nuk ka qenë i vetmi udhëim ekzotik që keni kryer.

Ambasadorja:
Siç thashë, jemi çift shumë kureshtar e përpiqemi të eksplorojmë botën. Për mua, diplomacia është një zgjedhje profesionale, sigurisht, por edhe një zgjedhje private, sepse më pëlqen të shkoj në vende të tjera. Është ndryshe nga të jetuarit diku e të kesh kontakte më intensive me popullatën, se thjesht të vish, të shohësh rrotull e të largohesh, si turiste normale. Shumicën e kohës unë dhe im shoq udhëtojmë më vete dhe shkojmë në hotele e restorante ku përpiqemi të takojmë sa më shumë njerëz të mundemi.

Pasdite: Para 30 vjetësh besoj se keni qenë në fillim të karrierës dhe përmendët Bankën e Zhvillimit. Si nisi gjtihçka?

Ambasadorja: Detyra ime e parë në këtë bankë ishte menaxhimi i zonës së Afrikës së Veriut. Udhëtimi i parë për të negociuar një kredi ishte në Marok. Mbaj mend që menaxherët ishin mosbesues nëse duhej të çonin një grua të re për të negociuar një kredi në një vend arab. U përpoqa t’u jap garanci dhe në fakt nuk pati asnjë problem. Mbase jam me fat, por kurrë s’kam pasur probleme profesionale nëpër negociata, as si punonjëse e bankës dhe as në karrierën time diplomatike.

Pasdite: Tani keni kaluar nga profesioni i ekonomistes në atë të diplomates.

Ambasadorja: S’është shumë ndryshe.

Pasdite: Përmendët negociatat për kredinë, ndaj…

Ambasadorja: Po, është për negociata, bashkëveprim me njerëz. Ndonjëherë bëhet fjalë për çështje të tjera. Diplomatët kanë veprimtari më të gjerë, sepse merremi gjithashtu me anën kulturore, shtypin, çështjet politike, por puna në bankë ishte një përgatitje shumë e mirë, para se të aplikoja për punët diplomatike.

Pasdite:  Mendoj se një përgatitje e mirë dhe kaq vite përvojë duhet të jetë një investim personal.

Ambasadorja: Sigurisht, është një investim dhe përvoja është diçka që e merr si fitim. Përvoja mblidhet me kohën dhe të jep më shumë besim në vetvete. Do të thosha që edhe të përmirëson në punë, sepse merr shumë përvojë nga anë të ndryshme të botës.

Pasdite:
Ka shumë gra që futen në diplomaci, por pak prej tyre bëhen ambasadore.

Ambasadorja: Mbase ka ende shumë ndryshime midis mundësive për karrierë në Ballkan dhe në Europën Perëndimore e Qendrore. Në fushën tonë të diplomacisë, gratë janë ende të përfaqësuara pak, por gjërat po përmirësohen. Në Ballkanin Perëndimor, për shembull, kemi një ekulibër të mirë në të gjashta vendet. Tri vende kanë ambasadore femra dhe tri të tjera kanë kolegë meshkuj. Por kjo s’është ende diçka e përgjithshme. Ka ende shumë për të bërë.

Pasdite: Janë vendime të marra enkas apo rastësi?

Ambasadorja: Për Ballkanin Perëndimor mund të them që është rastësi. Unë s’e di kush do të jetë pasuesi im, ndërkohë që paraardhësi im ishte mashkull. Është rastësi, por për pyetjen se çfarë nevojitet, them se nevojitet forcë qëndrueshmërie, të jesh e përgatitur, të bësh të të dëgjohet zëri, të kesh vendosmëri. Ndonjëherë duhet të bësh dhe sakrifica, por e mëson në një kohë shumë të shkurtër se në cilin vend do të vendosesh më pas. Mund të të duhet të shtysh gjëra për shkak të vizitave zyrtare. Mund të vijë një ministër apo një president. S’mund të marrësh leje gjatë fazës përgatitore dhe duhet të përgatitesh që të bësh këto sakrifica.

Pasdite: Sakrifica për veten dhe për familjen.

Ambasadorja:
Po, për diplomatët, lëvizjet e shpeshta janë një sfidë për të gjithë familjen. Një lloj prove durimi i përhershëm.

Pasdite: Meqë përmendët familjen. Dimë që jeni me bashkëshortin tuaj, e sigurisht që keni një nënë, si të gjithë. Ç’marrëdhënie keni me mamanë?

Ambasadorja:
Fatkeqësisht, mamaja më ka lënë, por lidhja jonë ka qenë shumë e fortë dhe ajo ishte gjithashtu shumë kureshtare. Sa herë e pyesja nëse do të vinte me mua në një udhëtim, ajo pranonte gjithnjë dhe pyeste vetëm pak para udhëtimit se ku do të shkonim, vetëm për të ditur se ç’rroba duhej të merrte për t’u përshtatur me klimën. Por, përgjigjja e saj spontane, kur i thosha nëse donte të vinte me mua, ishte gjithnjë “sigurisht që po”.

Pasdite: Kemi parë disa foto tuajat me nënën, dhe ka qenë grua që e ndiqte shumë modën.

Ambasadorja: Faleminderit.

Pasdite:  Edhe gjyshja juaj, gjithashtu. Si ka qenë fëmijëria juaj?

Ambasadorja: Fëmijëria ime mund të ketë qenë e privilegjuar. Unë linda në Frankfurt, në një qytezë me llixha. Është vend shumë i bukur, dhe për fëmijët e të rinjtë ka shumë mundësi. Ka infrastruktura publike, pishina, kënde lojërash, shkolla muzikore, balet… i kam provuar të gjitha. Edhe të luaja në piano, por baleti më pëlqente më shumë. Kështu që ndoqa baletin.

Pasdite: Kjo tregon që keni qenë në formë edhe atëherë.

Ambasadorja: Mbase! Është kërcim shumë i lehtë.

Pasdite: Pra, e ushtroni?

Ambasadorja: Jo baletin, por ende më pëlqen kërcimi.

Pasdite: Çfarë, në veçanti?

Ambasadorja: Gjithçka.

Pasdite: Valtz?

Ambasadorja: Po, edhe valtz.

Pasdite: Çfarë tjetër?

Ambasadorja: Çdo lloj kërcimi. Në opera ka qenë dhe një shfaqje për vit të ri, një vit më parë. U filmova me balerinët, e kjo duhet të jetë ende e regjistruar diku.  

Pasdite: Është kujtim i bukur?

Ambasadorja: Po, ishte e papritur. Gjithçka ishte spontane. Nuk ishte planifikuar. Mbase ka qenë plan i z.Sekui, por ishte këndshëm.

Pasdite: Mamaja juaj është përpjekur t’iu zbulojë talentet. Ishte entuziaste apo jo fort e kënaqur për karrierën tuaj si diplomate?

Ambasadorja: Ajo ka qenë gjithnjë entuziaste për atë që doja të bëja dhe më mbështeste shumë në të gjitha planet, që ndonjëherë ishin dhe pak të shfrenuara apo të pamatura. Isha 13 vjeçe herën e parë që doja të udhëtoja pa prindërit. Në atë kohë s’kishin shumë besim, por më mbështetën e më dhanë guxim, dhe shkoi shumë mirë.

Pasdite:
Përvoja juaj e parë si udhëtare e lirë ka qenë që 13 vjeçe?

Ambasadorja: Po.

Pasdite:
Nga mënyra se si e tregoni duket diçka shumë e bukur, por duhet të ketë pasur një lloj beteje durimi në atë kohë, qoftë për veten tuaj apo mamanë. S’duhet të ketë qenë e lehtë të reklamohet pozicioni i gruas edhe në shoqërinë tuaj.

Ambasadorja:
Po, sigurisht. Fillon me universitetin. Studiova ekonomi dhe në atë kohë gratë ishin pakicë në këto lëndë. Bankierët shiheshin ende si burra me kostume blu. Por duhet të tem që në ministrinë e jashtme ka pasur një tjetër atmosferë që nga fillimi. Sigurisht që ka pengesa e ndonjëherë duhet të luftosh për pozicionin. Por nëse je e vendosur të luftosh e t’ia dalësh, s’është dhe aq e vështirë. Unë dola pa asnjë plagë.

Pasdite: Kjo është gjë e mirë. Por le të kthehemi në realitetin shqiptar. Si ju duken gratë në Shqipëri?

Ambasadorja: Shumica e stafit tonë vendas janë gra.

Pasdite: Ishte zgjedhje e juaja?

Ambasadorja: Jo, stafi ishte aty që kur erdha. Por mendoj se është zhvilluar në mënyrë të tillë, sepse janë shumë elastike e përshtaten më lehtë në mjedise me të huaj. Punojnë fort dhe kanë gjithashtu dhunti të mësojnë gjuhë të huaja, sepse të gjitha e flasin shumë mirë gjermanishten, kuptojnë anglisht dhe bëjnë punë shumë të mirë. Kjo është ana pozitive. Ajo që shoh në shoqërinë në përgjithësi, është që gratë nuk janë angazhuar ende aq sa duhet në politikë dhe në shoqëri. Në zgjedhjet lokale u përpoqëm të nxisim më shumë gra që të kandidojnë, e gjithashtu i nxis ende gratë për zgjedhjet e ardhshme që të jenë kandidate, por edhe si votuese i nxis të marrin informacionin e saktë e të bëjnë zgjedhjen e duhur. Sepse është vendi juaj, e ardhmja juaj, dhe përgjegjësi e të gjithëve. 50% e popullit janë femra.

Pasdite:
Por megjithatë, kemi përfaqësim shumë të ulëta, sidomos në zgjedhjet vendore që sapo kaluan. Mos është sepse politika në Shqipëri është shumë agresive?

Ambasadorja: Po, por kur ke një masë kritike grash që janë pjesëmarrëse, do të ketë dhe ndryshime. Mos u dorëzoni, përpiquni, dhe do të vijë koha kur do të keni një pikë ku gjërat do të shkëputen e do të ndryshojnë.

Pasdite: Sa për kureshtje, ne i dëgjojmë ndonjëherë politikanët të përdorin gjuhë shumë të ashpër. Përpiqen ta përdorin atë gjuhë edhe në qarqet diplomatike?

Ambasadorja: Fatmirësisht, jo. Është interesante të lexosh përkthimin e debateve në parlament, por edhe një herë, po të kishte më shumë gra, mund ta bënin vërtet ndryshimin.

Pasdite: Po juve, ju shohin si një grua e fortë?

Ambasadorja: Përshtypja ime është që sigurisht që më marrin seriozisht, sepse në fund të fundit, puna ime këtu është të përfaqësoj një vend, dhe pse jam e përfshirë personalisht. Sigurisht që Gjermania merret shumë seriozisht.

Pasdite: Ç’do të thotë të jesh grua në një mjedis me meshkuj, ku edhe duhet të përshtatesh, por edhe të ruash feminitetin.

Ambasadorja:
Unë s’e shoh se ndryshoj, por sigurisht, është gjithnjë e vështirë. Duhen pyetur stafi im ose njerëzit që më njohin që nga fillimi i karrierës. Perceptimi im është që jam përpjekur të ruaj ekuilibrin dhe e di që shumë privilegje e shumë gjëra që has, kanë lidhje me këtë profesion. Pasi të jem vendosur në një vend tjetër, qoftë në Berlin, kjo s’do të ekzistojë më në të njëjtën trajtë.

Pasdite: Po planet tuaja për të ardhmen?

Ambasadorja:
Planet e mia duhet të përshtaten me planet e Ministrisë. Normalisht, në këtë fazë të karrierës, vendet ku do të shërbejmë përcaktohen në një kohë të shkurtër. Qëndrimi ynë më i zakonshëm në një vend është tri vjet, që për mua përfundon në verë. Por më pëlqen këtu dhe do të më pëlqente të rrija dhe një vit më shumë. Por, e vendos ministria. Nga përvoja, dhe kur më kanë dërguar në vende që kanë qenë në pamje të parë jo dhe aq tërheqëse, si Iraku gjatë luftës, duhet të them se jam përpjekur gjithnjë të jap maksimumin. Në fund të fundit, po t’i shohësh, kanë qenë gjithnjë detyra të suksesshme.

Pasdite:
Në fakt, dhe fjala ambasador vjen nga fjala e vjetër latine që përkthehet “shërbim”.

Ambasadorja:
E shikoni?

Pasdite: Një mesazh të fundit për të gjitha gratë që po na shohin tani?

Ambasadorja: Jini më të sigurta në vetvete, angazhohuni në shoqëri e politikë, dhe pasi ta merrni këtë vendim, qëndrojini fort.

Pasdite: Shumë faleminderit për intervistën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA