Në Vatikan mbërriti edhe kardinali i fundit. Ai është vietnamezi Min ManJong Tong Hong. Me ardhjen e tij, në Romë ndodhen 115 zgjedhësit e pasuesit të Benediktit të XVI.
Të premten, kongregacionet do t’i përfshijnë të gjithë. Ndërsa shumë prej vëzhguesve shpresonin që Konklava të niste me të dielën apo të hënën, më 10 apo 11 mars, siç duket kardinalët po kërkojnë më shumë kohë për negociatat, që do të çonin në përcaktimin e udhëheqësit të ardhshëm të Kishës katolike romane.
Megjithëse për takimet mes kardinalëve nuk është mësuar shumë, aq më tepër për një emër favorit, një organizatë me qendër në Shtetet e Bashkuara, që përfaqëson viktimat e abuzimeve seksuale të priftërinjve, përmend emrat e dy kardinalëve dhe një arkipeshkvi, që sipas tyre do të ishin më të mirët për t’u bërë Papë.
Gjatë një konference për shtyp, në Romë, u mësua se ata ishin: kardinali Kristof Shonborn dhe Luis Antonio Tagle, pjesëmarrës në Konklave dhe arkipeshkvi Diarmuid Martin.
Ajo që i bashkon të tre është kurajo “për të dalë jashtë rrethit dhe për t’u treguar të ndershëm, duke pranuar dështimin e anëtarëve të tjerë të Kishës, apo atë të protokollit të tyre.
Kisha katolike romane u përfshi dekadat e fundit nga skandalet e abuzimeve seksuale, fillimisht rastet u shfaqën në Shtetet e Bashkuara, Irlandë dhe Gjermani.
Punimet në Kapelën Sistine, aty ku do të bëhet votimi, vazhdojnë. Janë vendosur stufat e destinuara për djegien e fletëve të votimit, nga ku do të dalë tymi i zi ose ai i bardhë, që do të tregonte suksesin e procesit.
Qëllimi i Vatikanit është ta zgjedhë udhëheqësin javën e ardhshme dhe ta shpallin emrin e tij disa ditë më vonë, për të drejtuar në ceremonitë e javës së Shenjtë, që nis të dielën e Palmave, më 24 Mars, dhe kulmon me Pashkët, të dielën pas saj.
Top Channel