Një shtetas francez u kap duke luftuar përkrah xhihadistëve në Mali dhe pret të ekstradohet në vendin e tij, informoi të premten ministri i Brendshëm i Francës.
Ministri Jean Yves le Drian bëri me dije se forcat franceze, të cilat që prej 10 janarit kanë zbarkuar në vendin e varfër afrikan për të penguar pushtimin e plotë të tij nga militantët ekstremistë, kanë arrestuar deri tani disa terroristë jovendas.
Dy ditë më parë u lajmërua edhe arrestimi i një shtetasi algjeriano-francez, duke luftuar për forcat e “Ansar Dine”-s, në veriun e Malit.
”Diçka e tillë tregon ekzistencën e një lloj rrjeti terrori, i cili mirëpret të rinj, të joshuar nga një e ardhme radikale, siç ka ndodhur më parë në Afganistan apo Siri”, u shpreh Le Drian.
”E dinim se zona veriore e Malit mund të ishte shndërruar në një parajsë për Al-Kaedën në Magrebin Islamik dhe nuk kemi gabuar, pasi është me të vërtetë kështu”, shtoi ministri i Mbrojtjes. “Jemi duke luftuar me terroristë të vendosur, të armatosur rëndë, të cilët po realizojnë një qëndresë të përfillshme, duke shkaktuar dëme të rënda, sidomos për trupat vendase dhe popullsinë civile të Malit”.
Franca, ish-zotëruesi kolonial i Malit, pranoi në 10 janar thirrjen e qeverisë vendase për ndihmës, pas avancimit të militantëve në veri.
Falë ndërhyrjes së Parisit, aktualisht është rikthyer kontrolli i qeverisë mbi të gjitha qendrat e mëdha të banuara në vend, por ka shumë pikëpyetje për të ardhmen e vendit, pas tërheqjes së paralajmëruar të francezëve dhe zëvendësimit të tyre me një koalicion trupash afrikane në muajin prill.
Në dhjetë muajt e fundit, të fuqizuar nga armatimet e siguruara gjatë krizës libiane (2011-12), tre grupime të fuqishme islamike arritën të vendosnin veriun e Malit nën administrimin e tyre, por tashmë duket se janë shpërbërë në disa fraksione më të vogla.
Një prej shteteve më të varfëra në botë dhe i kufizuar në veri nga shkretërira e Saharasë, Mali ka një sipërfaqe të përafërt me atë të Francës, Gjermanisë e Italisë marrë së bashku.
Top Channel