Gratë në politikë, Rama: Preludi i fitores

08/03/2013 00:00

Simbolikën që mbart dita e 8 Marsit, kreu opozitës Edi Rama e ka
shfrytëzuar për të prezantuar një grua, si kandidate për deputete të
Partisë Socialiste. Ajo është zonja Lindita Nikolla, e cila aktualisht
mban postin e kryetares së Njësisë Bashkiake numër 1 në Tiranë.

Kandidimin për deputete të Lindita Nikollës, Rama e përshkruajti si një vlerë të shtuar të ekipit të deputetëve të Tiranës, ekip që sipas tij, bëhet më bindës dhe afrohet më tepër me qytetarët.

“Sot skuadrës tonë kombëtare të Rilindjes i shtohet edhe një grua tjetër në rrugën e rritjes së numrit të parlamentereve tona pas 23 qershorit. Dhe nuk është e fundit. Lindita Nikolla nuk është e panjohur për publikun edhe pse shumë mirë e njohin vetëm qytetarët e Njësisë Bashkiake numër 1 në Tiranë, ku ka drejtuar me sukses dhe me mbështetje të konfirmuar popullore nga komuniteti qysh prej vitit 2007”, tha Rama.

Zonja Nikolla ka rikonfirmuar gadishmërinë e saj për të bërë realitet Rilindjen Shqiptare.

“Për mua është i shtrenjtë, prezantimi im sot në këtë ditë simbol. Po përtej kësaj unë dua sot t’i premtoj të gjithëve që do të vijoj të angazhohem krah Edi Ramës, krah Partisë Socialiste, duke qenë pjesë e modelit të vlerave, të dashurisë, përkushtimit, seriozitetit, punës së palodhur, modestisë, dashurisë pakufij për njerëzit e thjeshtë”, tha Nikolla.

Rama: 8 marsi, preludi i fitores më 23 qershor

Kryetari i PS, Edi Rama ka zhvilluar pasditen e së premtes një takim me gratë, me rastin e 8 marsit, të organizuar nga forumi socialist i gruas. Në fjalën e tij, Rama ka vlerësuar rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në politikë, duke premtuar më shumë luftë për barazi gjinore.

“Falenderoj të gjitha nënat dhe vajzat që i dhanë pamje mbresëlënëse forumit të gruas. Kemi vizionin për të çuar para betejën për barazi gjinore. Jemi e para forcë që kemi garantuar përfaqësimin për gratë dhe vajzat. Një mirënjohje të madhe për të gjitha gratë deputete të PS. Uroj që ky 8 mars të jetë preludi i fitores sonë më 23 qershor”, ka deklaruar Rama.

Top Channel