Ferguson: Hera e tretë që na eliminon gjyqtari

08/03/2013 20:05

“Kjo është hera e tretë që eliminohemi nga Champions League për shkak të gjyqtarit. Megjithatë, nuk mund të bëjmë më asgjë për të rregulluar këtë dhe duhet të vazhdojmë të shohim përpara”.

Këto janë fjalët e trajnerit Alex Ferguson, që rikthehet të arsyetojë pas kartonit të kuq të Nanit, që ngjalli tërbim tek trajneri skocez në ndeshjen Mançester-Real Madrid 1-2, e cila solli eliminimin e “Djajve të Kuq” nga Champions League.

Sipas skocezit, kartoni i kuq i dhënë në momentin kur anglezët kryesonin 1-0, është përgjegjësi i vetëm për eliminimin e të tijëve. “Nuk është e lehtë të përballosh një goditje të tillë, sidomos kur eliminohesh në rrethana të tilla. Kjo është hera e tretë që mbetemi jashtë Champions për shkak të gjyqtarit dhe ishim të shqetësuar për këtë gjyqtar që përpara se të niste takimi. Megjithatë, nuk mund të bëjmë asgjë tashmë, përveçse të shohim përpara dhe të fitojmë ato që mbeten në garë”.

Përsa i përket ndeshjes me Realin, Ferguson e cilësoi: “Është një ditë më shumë në historinë e klubit tonë, jo një ditë e mirë, por një ditë e re. Tashmë gjithçka ka kaluar dhe s’mund të bëjmë më asgjë”.

Në konferencën për shtyp, Sir Alex gjithashtu siguroi se zërat për largimin e Rooney nuk kanë “absolutisht asgjë të vërtetë”. “Rooney nuk do të shkojë këtu asgjëkundi. Do të jetë këtu edhe vitin e ardhshëm, keni fjalën time të nderit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA