Bregu: Të vendosur të votojmë 3 ligjet

08/03/2013 00:00

Gjatë zhvillimit të punimeve të Komitetit të Stabilizim-Asociimit, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dha një deklaratë për mediat në Bruksel, ku theksoi se votimi i tre ligjeve të kërkuara nga BE mbetet prioritet.

“Çështja e bllokimit të tre ligjeve në Parlament nga opozita dhe e mosvotimit për një kohë të gjatë, sigurisht që do të ishte pjesë e diskutimit sepse janë të vetmet detyrime të paplotësuara nga plani i veprimit që Komisioni Evropian i ka dorëzuar Shqipërisë”, dekalroi Bregu.

Ministrja u shpreh e vetëdijshme se votimi i ligjeve në referendum nuk është i lehtë dhe se Komisioni Evropian ka mendime kontradiktore për mbajtjen e tij, por theksoi se qeveria është e vendosur për të ecur para me projektin.

“E vërteta është që kjo mazhorancë është e angazhuar për të plotësuar dhe për të ndjekur interesin e qytetarëve”, nënvizoi Bregu, e cila më tej e vuri theksin tek zgjedhjet.

“Ne kemi zgjedhjet parlamentare në qershor. Vëmendja sigurisht që është e drejtuar tek zgjedhjet. Të gjithë e dinim që zgjedhjet do të ishin një element i cili do të vëzhgohej nga njëra anë me një monitorim të shtuar, por nga ana tjetër edhe me kërsërshi. Sepse dëmtimi i imazhit që i kemi bërë vetes gjatë këtyre viteve shton dhe një lloj kurioziteti përveç detyrimit të palës evropiane për monitorim”, tha ministrja e Integrimit.

Top Channel