Policia ukrainase bëri me dije se prangosi të dyshuarin kryesor për një krim tronditës të ndodhur në dhjetor në qytetin e Kharkivit, ku një gjyqtar, së bashku me familjen e tij, u gjetën të ekzekutuar me prerje koke brenda banesës së tyre.
Për shkak të krimit të përbindshëm, autori i kësaj ngjarjes kishte fituar në shtyp nofkën “monstra e Kharkivit”.
Në muajin dhjetor, gjykatësi Vladimir Trofimov, bashkëshortja, djali dhe nusja e tij, u gjetën të pajetë në apartamentin e tyre, me trupin të shkëputur nga koka.
Policia arriti të vërtetonte se një ose disa të dyshuar, nën kërcënimin e armëve kishin lidhur të katër viktimat, përpara se t’i ekzekutonin me radhë me një hanxhar.
Sipas Ministrit të Brendshëm, Vitaly Zakharchenko, gjykatësi u vra nga trafikantë droge gjatë një tentative grabitje të një koleksioni të rrallë antikuaresh, që dispononte në shtëpinë e tij.
”Monstra” u vendos në pranga mëngjesin e së enjtes në kryqendrën e Ukrainës Lindore, në Donetsk.
Emri i tij mbahet për momentin i fshehtë për arsye hetimi. Ministri Zakharchenko shtoi se arrestime të reja mund të ndodhin në orët e mëvonshme.
Top Channel