Organizata e Kombeve të Bashkuara i bëri një thirrje kryengritësve sirianë që të lëshojnë menjëherë 21 paqeruajtës, të mbajtur peng prej dy ditësh, që prej ndalimit të tyre në kufirin siriano-izraelit.
Paqeruajtësit ishin në një mision vëshgimi pranë Lartësirave të Golanit, kur u ndaluan nga rebelët.
Në rajonin ku ata u morën peng janë duke u zhvilluar prej katër ditësh ballafaqime të ashpra midis palëve ndërluftuese dhe ata nuk kishin leje për të qëndruar në fshatrat ku ishin vendosur.
Kjo është edhe arsyeja për të cilën kryengritësit kanë refuzuar deri tani lirimin e paqeruajtësve, për të cilët nuk dihet saktësisht se ku po mbahen.
Në një deklaratë, gjatë të enjtes, OKB bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të pengjeve, ndërsa konsideroi këtë incident si një “precedent të rrezikshëm” dhune, mbi vëzhguesit dhe forcat ndërkombëtare joluftarake në vendin e shkatërruar nga lufta civile.
Fronti Kombëtar Sirian, organizata kryesore që bashkërendon veprimet e rebelëve dënoi pengmarrjen, të realizuar prej një fraksioni të pavarur brenda kryengritësve, nga të ashtuquajturit “Martirët e Jarmukut”.
Në zhvillime të tjera gjatë ditës, Izraeli theksoi se nuk ka ndërmend të ndërhyjë për të liruar paqeruajtësit e marrë peng pranë kufirit të tij, ndërsa Organizata e Mjekëve pa Kufi, theksoi se pas dy viteve luftë të përgjakshme, tashmë sistemi shëndetësor në Siri është në kolaps të plotë.
Top Channel