Konsumi i tepërt i mishit të përpunuar duket se shton rrezikun e vdekjes në moshë të re.
Studimi, që sugjeron një gjë të tillë, është kryer mbi gjysmë milioni njerëz nëpër Europë dhe del në përfundimin se përdorimi i përditshëm i tij lidhet me sëmundjet kardio-vaskulare, kancerin dhe vdekjet e parakohshme.
Autorët e raportit thonë se kripa dhe kimikatet e përdorura për ruajtjen e mishit dëmtojnë shëndetin, ndërsa personat që konsumojnë në mënyrë të rregullt nënproduktet e përpunuara të tij, kanë më shumë gjasa të pijnë duhan, të kalojnë në obezitet e të jenë të prirur ndaj qasjesh të tjera të dëmshme për shëndetin.
Kërkimet u realizuan në 10 shtete të ndryshme europiane, për një mesatare kohe prej 13 vjetësh. Një në 17 persona, nga të përzgjedhurit për këtë studim, ndërroi jetë.
Por, ata që konsumonin më shumë se 160 gramë mish të përpunuar në ditë, ose dy salcice dhe një fetë proshutë, kanë 44% më shumë rrezik të vdesin më shpejt, se sa ata që konsumojnë vetëm 20 gramë në ditë.
Në total, gati 10,000 vetë humbën jetën nga kanceri dhe 5,500 të tjerë nga probleme kardiake.
Sipas ekspertëve, kjo është hera e parë, që një studim e lidh mishin e procesuar me sëmundjet e zemrës dhe parashtron kaq qartë rrezikshmërinë e një konsumi të lartë të tij.
Top Channel