Andrea Stefani – Kryeministri Berisha ka paralajmëruar se do ta çojë në
referendum çështjen e miratimit të tre ligjeve “magjike” që, sipas tij,
paskan bllokuar integrimin e Shqipërisë në Europë.
Bllokuesi i europianizimit, pra edhe i integrimit, autokrati që ka përqendruar në duart e njerëzve të tij të gjithë pushtetet, kërkon ta maskojë mungesën e vullnetit për konsensus me opozitën me formën e demokracisë së drejtpërdrejtë që është referendumi. Por një analizë pak më e kujdesshme, që shkon tej fjalëve dhe sloganeve, të bëjnë të kuptosh se edhe ky referendum, nuk është gjë tjetër veçse ushtrimi i një tiranie tashmë tipike për Berishën në pushtet.
***
Si çdo autokrat, Berisha di vetëm të diktojë. Konsensusi me opozitën është gjë e huaj për të. Faktet flasin vetë. Ai nuk dha konsensus për hapjen e kutive pas zgjedhjeve të vitit 2009, as për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, as për zgjedhjen e kryeprokurorit, as për ndarjen e zonave zgjedhore, as për ndarjen e mandateve për zgjedhjet e ardhshme. Berisha nuk dha konsensus as për çështjen e Fierit, edhe pse kishte organizuar atje një puç të turpshëm dhe antiligjor me anë të të cilit i grabiti opozitës pushtetin lokal të fituar me votë. Me plot të drejtë, opozita bllokoi miratimin e tre ligjeve për ta bërë autokratin të interesuar të arrinte një konsensus me të. Kështu vepron çdo opozitë në demokraci. Kur tregohesh arrogant dhe kërkon vetëm të diktosh, opozita të bllokon në mënyrë që kostoja politike dhe qeverisëse të të detyrojë të bësh lëshime dhe të arrish një konsensus me opozitën. Përvoja e obstruksionit opozitar vjen që nga Roma e lashtë me Tiber Grakun e deri te demokracia moderne e SHBA. Në librin e tij “Guximi për të shpresuar” Barak Obama i thur lavde filibasterit apo obstruksionizmit që i krijon mundësi pakicës në Senatin e SHBA-së të bllokojë punimet e tij në rast se shumica nuk përfill ndjeshmëritë e saj. Berisha e shpall obstruksionin opozitar armiqësor, sepse edhe opozitën e percepton si armike.
***
Tri ligjet e famshme nuk janë thelbësore për integrimin. Këtë të vërtetë e kanë deklaruar edhe disa ndërkombëtarë. E gjitha është një demagogji për ta hedhur topin e fajit tek opozita. Por të pretendojmë për një moment të kundërtën. Atëherë lind pyetja përse Berisha nuk lëshoi për Fierin për të arritur konsensus me opozitën për tri ligjet? Përse rrëmbimi i pushtetit lokal në Fier ishte për Berishën më i shenjtë se statusi? Përse e sakrifikoi statusin kandidat për Fierin? Përgjigjja është thuajse evidente: Sepse nuk i duhej statusi kandidat për Shqipërinë, por statusi i humbur për të fajësuar opozitën për bllokimin e integrimit që në fakt, ka 20 e kusur vjet që po e saboton me autokratizmin e tij, me grabitjen e zgjedhjeve, me kapjen e pushteteve, me korrupsionin, me vrasjen e protestuesve, me nacionalizmin primitiv, me konfliktualitetin dhe qeverisjet e dështuara. Tre ligjet janë alibia e Berishës për antieuropianizmin që do ta mbajë sekret, por që për shkak të bëmave të tij (si për shembull kapjen e të gjitha pushteteve) nuk është më një sekret.
***
Berisha nuk kupton se miratimi i tri ligjeve u veçua si masë kritike arritjesh pikërisht për të provuar aftësinë e klasës politike, dhe në radhë të parë të pushtetit, për të prodhuar konsensus. Të miratuara në një referendum, qoftë edhe të pamanipuluar, ato s’kanë asnjë vlerë për integrimin. Ky ishte në thelb edhe mesazhi i komisionerit Fyle i cili shfaqi habi për nismën referendare të Berishës. Por Berisha është i vendosur të ndërsejë “popullin” kundër opozitës. Pasi e ka kapur “për leckash” në Parlament, pasi e ka vrarë në rrugë, pasi ka refuzuar çdo lëshim ndaj saj, tani Berisha ka vendosur ta çojë deri në fund arrogancën e tij, duke organizuar një referendum për tri ligjet. Bujrum, se me siguri do të humbasë! Por problemi është që ai i vjedh votat. Të organizosh referendum, demokraci të drejtpërdrejtë, duhet që të organizosh zgjedhje ku vota nuk vidhet, nuk manipulohet. Dhe 23 vjet kanë dëshmuar se Berisha nuk ka fare një vullnet të tillë. Madje, edhe për zgjedhjet që afrojnë, ka zëra që sugjerojnë të organizohen me një qeveri teknike. Aq i lidhur me vjedhjen e votës është ky politikan! Dhe me një referendum ku vidhen votat nuk është më demokraci e drejtpërdrejtë, por një maskaradë ku pakica e ardhur në pushtet me vota të vjedhura, maskon tiraninë e saj, diktatin e saj me gjoja vullnetin e “popullit”.
Top Channel