“Kupola e policisë, e lidhur me krimin”

07/03/2013 19:50

Nga qyteti i Lezhës, ku është mbajtur takimi i radhës për diskutimin e kapitullit për sigurinë dhe rendin publik të programit “Për një Rilindje Shqiptare”, kreu i opozitës, Edi Rama akuzoi ashpër pushtetin e kryeministrit Berisha që ka shndërruar policinë e shtetit në fole militantësh të PD-së.

”Në qoftë se ne duam që të luftojmë krimin dhe të ringremë policinë duhet të këpusim lidhjet midis kupolës së krimit dhe Ministrisë së Brendshme. Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit janë të lidhur me krimkin e organizuar, ashtu sikundër është fakt që krimi dhe kupola më e lartë e policisë bashkëpunojnë midis tyre”, deklaroi Rama.

”Kjo është arsyeja”, tha Rama, “që ka gjithmonë e më shumë  viktima në radhët e Policisë së Shtetit, pasi ata tradhëtohen në operacionet policore nga drejtuesit e tyre”. Kreu i opozites foli për një emergjence të ndryshimit, pasi drejtesia në këtë vend, ashtu si arsimi e shëndetësia jane kthyer në mall, që e marrin vetëm ata që paguajnë.

”Të gjitha shërbimet e shtetit janë kthyer në një mall. Lerë se çfarë thotë kushtetuta dhe ligji. Këto shërbime, i blen vetëm me lekë. Njerëzit kanë gjithmonë e më pak lekë, ndërsa kryeministri thotë sa të lumtur duhet të jeni me kaq shumë lekë që ju jap çdo vit. Mos prisni drejtësi në dyert e gjykatave, nëse nuk keni një qeveri që të qeverisë në mënyrë të drejtë. Duhet në fillim që qeveria të mos i hajë të drejtën qytetarit, që edhe gjykatësi të mos guxojë ta bëjë këtë gjë”, deklaroi Rama.

Kryetari i opozites premtoi një sistem të ri që do të garantojë rendin dhe sigurine publike, duke u drejtuar me profesionalizëm.

”Na duhet një polici për dy gjëra, që të mos ketë individë që të ndihen të pambrojtur në të gjithë Shqipërinë dhe për të mbrojtur pronën e cilitdo. Nëse duam një shtet, e para që duhet të bëjmë është të garantojmë sigurinë e personit dhe pacënueshmërinë e pronës”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA