Ish-lideri sovietik Mikhail Gorbachev ka denoncuar ligjet e reja të miratuara në Rusi si një “sulm ndaj të drejtave të qytetarëve”.
Në një intervistë për BBC, ai i bëri thirrje presidentit aktual Vladimir Putin që “të mos ketë frikë nga populli i tij”.
Zoti Gorbachev kritikoi gjithashtu rrethin e brendshëm të Putin, që sipas tij përbëhet nga “hajdutë dhe zyrtarë të korruptuar”.
Ligjet e kritikuara nga ish-presidenti përfshijnë gjobat për organizimin e protestave, ndëshkimet e rrepta kundër shpifjes, përkufizimi më i gjerë i tradhtisë dhe kufizimi i faqeve të internetit.
Në janar organizata Human Rights Watch akuzoi presidentin Putin se ka ndërmarrë aksionin më agresiv politik në historinë e Rusisë post-Sovietike, që nga kthimi në krye të Kremlinit në maj 2012.
Grupi tha gjithashtu se, Putin ktheu me shpejtësi ato reforma, të dobëta por të avancuara për lirinë politike, të ndërmarra nga presidenti i mëparshëm Dmitry Medvedev.
Gjithashtu, një numër liderësh të opozitës janë arrestuar që kur protestat masive anti-qeveritare nisën të mbaheshin në Moskë dhe qytete të tjera pas zgjedhjeve të diskutueshme parlamentare në dhjetor 2011.
Zoti Gorbachev tha se ishte i habitur nga numri i lartë i ligjeve të kontestueshme të miratuara në Rusi që nga kthimi i Putin në krye të Kremlinit, me një mandat të zgjatur nga 4 në 6 vjet.
“Prirja që i bashkon të gjithë ata politikanë është sulmi ndaj të drejtave të qytetarëve. Për hir të së mirës, mos kini frikë nga populli juaj”, u shpreh Gorbachev.
Top Channel