Stefano Domenicali, shefi i skuderisë Ferrari, theksoi se arritja në podium në garën e parë të botërorit të Formulës 1 (Cmimi i Madh i Australisë më 17 mars) “do të ishte një bazë e mirë për të ndërtuar më tej suksesin përgjatë sezonit”.
“Një podium në Australi do të ishte një bazë e fortë mbi të cilën mund të ndërtojmë sukseset në vazhdim. Duke parë punën e zhvilluar, mendoj se Ferrari do të luftojë deri në fund për titullin kampion”, theksoi Domenicali, i cili shtoi se skuderia e Maranellos është në rrugën e duhur.
“Në krahasim me vitin e kaluar, jemi më mirë. Puna që kemi bërë në galerinë e erës na jep arsye të besojmë se në aspektin aerodinamik do të jemi mirë dhe mund të punojmë të qetë me detajet e tjera”, deklaroi numri 1 i Kokëkuqes.
Domenicali e mbylli duke nënvizuar se ndryshimet që i janë bërë makinës që nga fundi i vitit të kaluar do të japin frytet e veta këtë sezon.
Top Channel