Një vit heqje lirie për ish-kryeministrin Silvio Berlusconi, i akuzuar për bashkëpunim në nxjerrjen e sekretit zyrtar.
Gjykata e Milanos dënoi edhe Paolo Berlusconin, me 2 vjet e tre muaj burgim, për botimin e këtij sekreti në gazetën “Il Giornale”, e përditshme e familjes Berlusconi.
Më 31 dhjetor të vitit 2005, kjo gazetë botoi në faqe të parë përgjimin e një bisede të ish-sekretarit të Partisë Demokratike, Piero Fassino, mbi blerjen e një banke.
Në gjyqin e sotëm u vendos gjithashtu, që ky i fundit të dëmshpërblehet nga vëllezërit Berlusconi, me 80 mijë euro. Piero Fassino, i cili sot është kryebashkiak i Torinos, deklaroi se më në fund u vendos e drejta dhe doli e vërteta.
Nga ana tjetër, bashkëpunëtorët e Silvio Berlusconit, i cili natyrisht do të apelojë, shprehen indinjatë dhe zemërim të thellë, duke mbështetur tezën se ky dënim është një përpjekje për ta eliminuar atë në rrugë gjyqësore, sepse nëpërmjet zgjedhjeve dhe demokracisë nuk ia dalin dot.
Por, ish-kryeministri nuk rrezikon të përfundojë në burg. Në fund të verës mbushet afati kohor për rënien në parashkrim të rastit. Vështirë se deri atëherë do të arrihet në një sentencë përfundimtare.
Top Channel