Një balerin solist pranoi sulmin me acid mbi drejtorin e teatrit “Balshoi”, më të madhin në Rusi dhe një prej më të mëdhenjve në botë.
Balerini Pavel Dmitrichenko, i arrestuar të martën së bashku me dy bashkëpunëtorë të dyshuar, duket se pranoi autorësinë gjatë marrjes në pyetje në një komisariat policie.
Makina me të cilën u largua Dmitrichenko, pasi sulmoi drejtorin Sergei Filin, është bllokuar dhe po inspektohet për për prova që të mbështesin akuzën.
Filin mori plagë të rënda pasi u sulmua me acid sulfurik të përqendruar në fillim të janarit.
Pas një seri operacionesh që stabilizuan gjendjen e tij shëndetësore, ai u dërgua në Gjermani, ku aktualisht është duke iu nënshtruar një trajtimi, për të mos humbur shikimin, pasi acidi i shkaktoi plagë të rënda në sy.
42-vjeçari pritet t’i nënshtrohet edhe një operacioni plastik, për të rikuperuar dëmtimet në fytyrë.
Besohet se sulmi i Dmitrichenkos u motivua nga klanet e brendshme të Balshoit dhe pakënaqësia për rolet e ndryshme të besuara.
Top Channel