Kush do të jetë pasardhësi i Chavez?

06/03/2013 00:00

Vdekja e Chavez, ashtu sic e quajti edhe Uashingtoni, do të hapë një kapitull të ri për Venezuelën. Por kush do të jetë personi që do të pasojë Chavezin në krye të vendit amerikano-latin.

Analistët ndërkombëtarë thonë se presidenti i ri i Venezuelës, që do të zgjidhet brenda 30 ditëve, do të jetë një mbështetës i politikave të Chavez, njohur ndryshe në vend si “chavism”. Por kush janë rivalët?

Dy janë emrat më me influencë brenda partisë së ish-presidentit. I pari ëshë Diosdado Cabello, një person autoritar, ushtarak karriere që i qendroi në krah Chavez gjatë përpjekjes së këtij të fundit për grusht shteti dhe tregoi besnikërinë e tij edhe në vitin 2002 kur mbështeti Chavez-in të rikthehej në pushtet pas grevës së përgjithshme në vend.

Aktualisht mban postin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare, por është personi më i urryer i opozitës, ndërkohë që as në radhët e mbështetësve të Chavez nuk ka simpati të madhe për të.

Kandidati tjetër mbetet zv.presidenti Nicolas Maduro. Ky i fundit është “i zgjedhuri” i Chavez dhe në publikimin e lajmit të hidhur për vdekjen e tij, nuk kishte në krah Diosdado Cabello-n. Analistët ndërkombëtare nxituan ta komentojnë si një ndarje të madhe dhe sinjali i parë që Cabello me shumë gjasa nuk do të pajtohet me “testamentin” e Chavez.

SHBA: Kapitull i ri në historinë e tyre

Shtetet e Bashkuara e kanë përshkruar vdekjen e Hugo Chavez-it, si një “periudhë sfidash”, duke rikonfirmuar atë, që vet ata e quajnë mbështetje të tyre për popullin venezuelian dhe interesave të tij, për të zhvilluar një marrëdhënie konstruktive me Caracas-in.

“Ndërkohë që Venezuela nis kështu një kapitull të ri të historisë së saj, Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundur ndaj politikës që promovon parimet demokratike, sundimin e ligjit dhe respektin për të drejtat e njeriut”, thuhej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Në Argjentinë, presidentja Cristina Fernandez de Kirchner pezulloi të gjitha aktivitetet e saj, pas shpalljes së lajmit të vdekjes së Chavez-it. Ajo dhe burri i saj, Nestor Kirchner, ishin kolegë të ngushtë të liderit venezuelian.

Në Peru, Kongresi mbajti një minutë heshtje në nder të tij. Presidenti i Bolivisë, Evo Morales, tha se do të nisej urgjentisht për në Caracas. Qeveritë e Kilit dhe Ekuadorit lëshuan gjithashtu deklarata zyrtare, ku shprehnin ngushëllime për humbjen e tij. Ata të Ekuadorit thanë se e ndjenë humbjen, si të ishte mes tyre, teksa shpresojnë se fqinjët e tyre do të vazhdojnë më tej revolucionin e Chavez-it.

Analistët thanë se vdekja e Chavez mund të alternojë balancat politike në Amerikën Latine, duke i dhënë një goditje shteteve të majta dhe duke favorizuar vendet më të balancuara drejt qendrës.

Mund të ketë gjithashtu edhe një impakt ekonomik, duke ditur se Venezuela shet naftë nën çmimin e tregut për disa prej vendeve fqinje, sidomos ndaj Karaibeve.

Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, William Hague, tha se ishte “i trishtuar” për mësimin e këtij lajmi, duke shtuar se Chavez kishte lënë një “përshtypje të pashlyeshme” ndaj venezuelianëve.

Zyra për Marrëdhëniet me Jashtë e Britanisë lëshoi një këshillë për vizitorët, që udhëtojnë drejt Venezuelës: “Ky është një moment tepër i ndjeshëm për atë vend. Duhet të shmangni me çdo kusht çdo miting publik në të”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA