Pas alarmit mbi praninë e Aflatoksinës mbi normat e lejuara nga Bashkimi
Europian në disa marka qumështi të prodhuara në vend dhe qetësimit të
konsumatorëve nga Ministria e Bujqësisë mbi sigurinë e qumështit që
konsumojnë, ekspertët shpjegojnë se substanca toksike e ka prejardhjen
nga ushqimi i kafshëve, shumica e të cilit importohet.

“Aflatoksinat janë një grup substancash që prodhohen nga myqe të ndryshme. Ka një numër të madh myqesh, të cilat ndotin pjesën dërrmuese të ushqimeve të kafshëve kur ka lagështirë. Në këto kushte të ashtuquajtura stresi, këto myqe prodhojnë substanca toksike. Kafshët që prodhojnë sasi të madhe qumështi marrin edhe koncentrare nga Bullgaria, nga Serbia, nga Sllovenia apo nga Polonia”, thotë Nefail Biba, Prof. Doc. i Farmakologji-Toksikologjisë Veterinare.

Nisur nga kjo, profesor Nefail Biba hedh dyshime mbi praninë e substancës së dëmshme edhe në ushqime të tjera që kanë prejardhje bimore.

“Për fat të keq këto janë të pranishme në shumicën dërrmuese të ushqimeve tona, jo vetëm ato shtazore. Të gjitha ushqimet që ne hamë nuk i kontrollojmë dot. Buka përshembull mund të ketë probleme”, thotë eksperti.

Ekspertët bejnë thirrje për kontroll më të rreptë jo vetëm të ushqimeve por edhe të gjithë zinxhirit të prodhimit apo rritjes së bimëve dhe gjësë së gjallë, si e vetmja mënyrë për të garantuar siç duhet shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve.       

 
    

Top Channel