BE rishikon ndalimin e shitjes së automjeteve me djegie të brendshme, mirëpret hibridet dhe biokarburantet
Ushtari amerikan që arrestoi kryeministrin japonez, gjeneralin Hideki Tojo, për ta vënë përballë akuzave për krime lufte në fund të Luftës së Dytë Botërore, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare.
John Wilpers ishte anëtari i fundit i mbijetuar i skuadrës që kapi liderin japonez më 11 shtator të vitit 1945.
Tojo sapo kishte qëlluar veten në tentativë për vetëvrasje, kur pesë ushtarët amerikanë mbërritën në shtëpinë e tij. Wilpers konsiderohet si njeriu që e mbajti atë gjallë.
Wilpers vdiq të enjten e kaluar në një klinikë në Garret Park të Merilendit. Vonë gjatë jetës së tij, ushtria amerikane i njohu atributin për kapjen e gjeneralit japonez.
Ai u nderua me Yllin e Bronzit në vitin 2010, në moshën 90-vjeçare. Veterani nuk ka folur kurrë në publik për operacionin, derisa mori medaljen ushtarake.
“Ai ishte tej mase krenar për atë që kishte bërë, por nuk mburrej për këtë”, i biri John Wilpers tregoi për “Associatet Press”.
Wilpers lindi në Albani, në Nju Jork, në vitin 1919 dhe u rrit në qytetin e afërt Saratoga Springs. Ai ishte vetëm 25 vjeç kur kreu misionin në fjalë.
Pasi u anëtarësua në Trupat Ushtarake Ajrore në vitin 1942, ai u transferua në një njësi kundër-spiunazhi dhe ishte mes trupave të para që hynë në Japoni pas rrethimit që i dha fund Luftës së Dytë Botërore.
Sipas ushtrisë amerikane, Wilpers dhe skuadra e tij mundën të lokalizonin gjeneralin Tojo brenda 24 orëve që nga marrja e detyrës, pas një informacioni të publikuar në një gazetë të Tokios për vendndodhjen e tij në periferi të Tokios.
Lideri japonez mbijetoi dhe u dërgua në gjyq, ku u dënua si një kriminel i Klasit A dhe u ekzekutua në vitin 1948 me varje. Më vonë, Wilpers punoi 33 vjet për CIA-n dhe u tërhoq nga ushtria amerikane në vitin 1979 me gradën e kolonelit.

Top Channel