Ekonomia amerikane krijoi 88 mijë vende të reja në mars, kuota më e ulët e nëntë muajve të fundit, treguan të dhënat zyrtare të publikuara ditën e premte.
Sipas treguesve, ndonëse ekonomia më e madhe në botë ndodhet në formë të mirë, rënia e ritmeve të punësimit shërben si një këmbanë alarmi për mundësinë e ngadalësimit të nivelit të rritjes ekonomike.
Ekspertët kishin parashikuar rreth 200 mijë vende të reja pune, një shifër e ngjashme me atë të shkurtit.
Ndonëse një shifër zhgënjyese, llogaritur mbi bazën e pritshmërive, 88 mijë vende të reja pune shërbyen për të ulur më tej papunësinë e përgjithshme me 0,1%, në 7,6% të krahut të punës.
Në gjuhën ekonomike, të papunë quhen ata persona midis moshës 18-65 vjeç, të cilët nuk janë të punësuar, por që po kërkojnë të punësohen.
Sipas Departamentit të Punës, në të dhënat zhgënjyese kontrubuan 24 mijë vendet e punës të humbura në shërbime dhe 12 mijë shkurtimet e Shërbimit Postar Amerikan, si pjesë e një reforme të paralajmëruar.
Ndërkohë, rritje u evidentua në sektorë e shërbimeve presionale dhe biznes, me një rritje të punësimit me 51 mijë vende dhe në shëndetësi, me 23 mijë të punësuar më shumë në mars.
Top Channel