“Pollo, abuzim me tender 25 mln euro”

05/03/2013 00:00

Një tender i qeverisë pritet të hapë shumë polemika, si për cënimin e pavarësisë së institucioneve edhe për shifrat për të cilat opozita thotë se janë të fryra dhe se ka dyshime të forta për abuzime në miliona euro.

Deputeti Alfred Dalipi ka akuzuar Ministrin e Inovacionit Genc Pollo, se po shkel statusin e Radiotelevizionit Publik, përmes tenderit prej 25 milion eurosh që ky ministër po kërkon të kryejë në llogari të institucionit publik.

Me ligjin e ri RTSH-së iu dha pavarësia dhe statusi për ta kryer vetë këtë tender, ndërsa sipas Dalipit, ministri Pollo me këtë tender e ka shndërruar transmetuesin publik në një transmetues qeveritar.

“Bëhet fjalë për një tender që do të ndërtojë dy rrjete të RTSH dhe jo dy rrjete qeveritare. Nëse do të ngrihen këto dy rrjete dhe në fund fare tenderi do ta bëjë Pollo dhe në dorëzim do ta marrë transmetuesi publik, do të thotë që qeveria po blen statusin e transmetuesit publik po e kthen në transmetues qeveritar sic e ka bërë deri më sot, vetëm se në rastin konkret po e shndërron edhe në një lavatrice për të bërë para për fushatë”, thotë zoti Dalipi.

Ky projekt prej 25 milion eurosh parashikon ngritjen e dy rrjeteve publike përmes taksave që paguajnë shqiptarët, por RTSH nuk ka ende një projekt dhe studim fizibiliteti dhe KKRT nuk ka përcaktuar interesat e televizioneve lokale.

“Nuk mund të ndërtosh një platformë dhe t’u thuash privatëve ejani këtu kur ata mund të gjejnë një platformë me kosto më të ulët, të paguajnë më pak. Pra nëse nuk ka një studim fizibiliteti nuk mund të hidhen para dhe këto janë para të taksapaguseve sepse në fund fare ai që do t’i paguajë është transmetuesi publik”, denoncon deputeti i PS-së.

Problemi tjetër është vlera financiare. Dalipi akuzon ministrin Pollo për abuzime me këtë tender, Pasi ngritja e dy rrjeteve nisur nga të gjitha të dhënat, kushton shumë më pak se 25 milionë euro.

Deputeti socialist shprehet se tenderi po bëhet me urgjencë për të marrë paratë të cilat do të përdoren për fushatë zgjedhore. Abuzimi, sipas opozitës mund të shkojë deri aty, sa  ky projekt të mos zbatohet pasi cdo familje duhet të blejë një dekoder me vlerë 40 euro, çka do të thotë që kostoja të rritet edhe me 32 milion euro për 800 mijë familje.

“Nëpërmjet taksave për transmetuesin publik do të paguhet edhe ky projekt. Duhen edhe 32 milion euro të tjera që ta marrin shqiptarët sipas përcaktimit të ligjit. Ministri Pollo ka hapur një ofertë dhe një kompani do të vijë të ofrojë nëpërmjet kredisë që ka marrë, të gjitha pajisjet për të realizuar këtë objekt prokurimi. Garant do të jetë Banka e Shtetit, pra do të jetë zoti Bode dhe zoti Fullani që do t’i firmosin këto 25 milion euro.

Sipas këtij projekti shteti do të ngrejë rrjete dhe për privatet ndërkohë që kompania fituese do të marrë menjëherë 15 përqind të vlerës së përcaktuar, pra 3 milion euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA