Zgjedhjet e fundit në Itali prodhuan një rezultat që për Brukselin ka rikthyer përsëritjen, por këtë herë me përmasa akoma më të mëdha, të krizës politike në Greqi.
Rezultati i prodhuar nga votimi i rreth 40 milion italianëve më 24 dhe 25 shkurt nuk rezultoi me një mazhorancë të mirëfilltë. Dy kampet kryesore, ai i majtë dhe ai i djathtë humbën terren dhe pala e vetme e fituar në këtë mes ishte lëvizja e M5S, e komedianit Beppe Grillo.
Prej daljes së rezultati zyrtar, klasa politike është përfshirë në bisedime të ethshme nën dhe mbi rrogoz. E majta e udhëhequr nga Bersani ka refuzuar kategorikisht një koalicion me të djathtën e Berlusconi-t, ndërsa lëvizja e “5 yjeve” e Beppe Grillo-s i refuzon që të dyja.
E për të dalë nga ky ngërç politik, së fundmi po qarkullojnë zërat për ndërtimin e një qeverie teknike, të ngjashme me atë Monti që udhëhoqi vendin deri para zgjedhjeve. Por edhe ky propozim është hedhur poshtë nga Grillo.
“M5S nuk ka mbështetur, nuk mbështet dhe nuk do të mbështesë asnjëherë një qeveri teknike. Në të vërtetë nuk ka qeveri teknike, por vetëm qeveri politike. Qeveria Monti ishte qeveria më e politizuar e pasluftës në Itali. Asnjë qeveri që prej asaj kohe nuk ka guxuar të vendosë në diskutim artikullin 18 për mbrojtjen e punonjësve më parë, qeveria Monti e bëri këtë”, deklaroi kreu i lëvizjes surprizë në vendin përtej Adriatikut.
Shtegu për mbështetjen e një qeveri teknike u la i hapur nga kreu i grupit të senatorëve të M5S, Vito Crimi. Në një deklaratë për mediat ai tha se nuk ka asgjë konkrete, të paktën tani për tani, ndërsa nuk mohoi mundësinë që kjo të ndodhë në ditët në vijim.
Pikërisht ky përkufizim e detyroi atë të tërheqë deklaratat e lëshuara një ditë më parë duke shkruajtur në faqen e tij zyrtare në Facebook se nuk do të lëshojë asnjë intervistë për mediat. Për vetë natyrën e “anarshiste” të ndërtimit të saj, shpesh zërat që mbërrijnë nga M5S janë kontradiktorë ndërmjet tyre, ndaj për momentin, figurat kryesore të kësaj lëvizje kanë lënë menjëanë debatin për qeverinë e re dhe po përpiqen të “institucionalizojnë” një zë të vetëm për publikun.
Top Channel