Zoti ministër, kam edhe unë një foto me Frrokun

02/03/2013 00:00

Mustafa Nano – Ne të gjithë jemi shumë të zotë për t’i ikur thelbit të
çështjes në një diskutim publik. Bëjnë të njëjtën punë, d.m.th. i
përvidhen thelbit të gjërave, edhe ata që do të ishin të interesuar të
kapeshin fort pas këtij thelbi. Duket sikur kemi të bëjmë me një element
tonin idiosinkratik. Po e ilustroj me dy ngjarje, njëra “e qëmotshme”,
tjetra e këtyre ditëve.

Ngjarja “e qëmotshme” është ajo e Gërdecit. Cili ish (dhe është) thelbi i asaj ngjarjeje? Dihet tanimë: “Në Gërdec ish ngritur një biznes abuziv, me lejen e qeverisë, madje me ndërhyrje të qeverisë për ta inkurajuar e favorizuar atë lloj biznesi, dhe në këtë histori ish përfshirë edhe djali i Kryeministrit. Ky i fundit ka hyrë e ka dalë nga Ministria e Mbrojtjes para se të bëhej ploja në Gërdec (26 veta mbetën të vdekur), ka komunikuar në telefon me funksionarë të lartë të ministrisë, me zyrtarët e sipërmarrësit e përfshirë në këtë aferë, ka folur në telefon me ta dhe ditën që ndodhi ajo që ndodhi, e të gjitha këto mund të provoheshin fare kollaj nga hetimi”.

Por pakkush u mor me këtë gjë. Prokurorët jo që jo. Të tjerët, sidomos politikanët dhe gazetarët, gjetën për strumbullar të kësaj afere vrastare një sipërmarrës, Mihal Delijorgjin, dhe u fokusuan në mënyrë maniakale te ky, te miqësitë e politikanëve me të. Në rastin konkret ishte një lojë e Berishës për të larguar vëmendjen nga zullumi i të birit, por ishte një lojë që i eci. Të tjerët ranë në këtë grackë. Madje, ish Edi Rama që harxhoi mjaft kohë për të justifikuar (ndoshta fshehur) njohjen e tij (ndoshta miqësinë) me Delijorgjin, në një kohë që çdo kontakt, njohje, deri dhe miqësi me një person deri në momentin që ky person është një njeri si gjithë të tjerët, me fjalë të tjera deri në momentin që ky person nuk ka bërë një krim, nuk u fshihet organeve e strukturave të rendit e të sigurisë, e nuk ndiqet penalisht nga organet e drejtësisë. Mund të thosh fare mirë pra, që “po, unë e kam njohur Mihal Delijorgjin, e kam njohur si biznesmen, si çdo biznesmen (nëse e ka njohur), e kam takuar shpesh (kuptohet, nëse e ka takuar shpesh), ju them edhe që ai ka pasur marrëdhënie kontratuale me bashkinë që unë kam drejtuar (kuptohet, nëse ka pasur marrëdhënie të tilla)”, dhe pas kësaj mund të shtonte: “Dhe mjaft u morët me këtë muhabet”. Sigurisht, të tjerët mund të vijonin dhe pas kësaj të flisnin për këtë miqësi, të bënin interpretimet e tyre, ta fusnin në një filtër etiko-moral (miqësitë e një eksponenti të rëndësishëm të politikës janë shumë domethënëse, dhe na thonë shumë për vetë politikanin), por ky diskutim nuk do shihej më i lidhur me Gërdecin, e nuk do ta eklipsonte më thelbin e çështjes. Dhe, përsëris, thelbi i asaj çështjeje nuk ishin miqësitë e Delijorgjit, madje as fakti që ai ish klient i pushtetit (sa biznesmenë njihni ju në këtë Shqipëri të shthurur që, në vend të tij, nuk do të binin dakord të kishin për ortak në një biznes djalin e Kryeministrit, sidomos këtë djalë të këtij Kryeministri? Unë njoh shumë pak, e nuk është se jam 100% i sigurt dhe për ta). Thelbi është fakti që ky biznes abuziv ish ngritur me dijeninë e me lejen e qeverisë, dhe në të figuronte si ortak djali i Kryeministrit, që deri në atë moment nuk njihej si biznesmen.

Vijmë tani te ngjarja e këtyre ditëve, te vrasja e Dritan Lamajt. Të nesërmen e krimit, të përditshmet shqiptare publikuan ca fotografi, në të cilat ai që dyshohej si autor i krimit, pozonte në një restorant, çakërrqejf dhe i eksituar nga alkooli, mes krerësh të policisë shqiptare, më saktë, mes atyre krerëve që morën përsipër më pas të hetonin ngjarjen. Kuptohet, sikur këto foto të mos kishin dalë në dritë, i dyshuari si autor i këtij krimi do të hetohej nga miqtë e tij, dhe në këtë kuptim, shtypi ka bërë një punë të shkëlqyer me publikimin e atyre fotove. Ato foto janë provë, se policët janë përfshirë në këtë krim, apo se ata janë të përzier me krimin në përgjithësi? Jo domosdoshmërish. Por puna është se këta policë njihnin mirë konfliktin gjysmë urban, gjysmë legal që një koleg i tyre kish me robin e fotografisë, e dinin se ky konflikt kish përmasa të pazakonta, e dinin se Dritan Lamaj ish kërcënuar disa herë prej “mikut” të tyre (sipas pretendimeve të Lamajt, që nuk janë përgënjeshtruar), e dinin se – kjo thuhet në “Shqipin” e sotëm, dhe kjo është info-ja më e rëndësishme që ka dalë deri më tani – se i dyshuari për krimin ka pasur probleme me ligjin edhe më përpara, dhe se për këtë janë vënë në dijeni (konkretisht Kuliçaj) nga vetë Dritan Lamaj në rrugë shkresore.

Prandaj këto foto kanë rëndësi dhe mund të klasifikohen te “thelbi i çështjes”.

Të çudit disi reagimi i socialistëve përballë tentativave të pushtetit për t’iu larguar këtij thelbi e për t’u fokusuar tek njohjet e tjera të Frrokut, dhe këtë e bëjnë me idenë e fajësimit apo të shfajësimit të të gjithë atyre që me Frrokun kanë bërë foto apo kanë pasur takime. Ministri i Brendshëm i përmendi Tahirit në Parlament një takim, a darkë, që Tahiri ka pasur me Frrokun, dhe deputeti socialist dëshmoi se e ka pësuar në mënyrën e vet këtë klimë absurde të kriminalizimit të njohjeve me dikë, para se ky i fundit të bëjë një krim.

Teksa dëgjoja ministrin që tentonte t’i jepte këtë drejtim debatit politik (nuk e kuptoj se pse një ministër duhet të dijë se me kë ulen deputetët e Parlamentit shqiptar, por ky është një diskutim më vete), m’u bë se isha në vend të Tahirit, dhe me mendje iu ktheva ministrit me fjalët: “Po, e njoh Frrokun, e kam takuar disa herë, kam bërë plot foto me të, kam ngrënë dhe dreka e darka. Po jua përsëris: e njoh dhe jam takuar shpesh me të. Kjo ka ndodhur përpara se ai të akuzohej për këtë krim, e përpara se të merrja vesh që ai ish në vëmendje të policisë për jetën që kish bërë e bënte”. E më pas do të vijoja t’i thosha ministrit: “Jemi të sqaruar lidhur me këtë? Futemi tani në thelbin e çështjes? Pse Kuliçajt e policisë, të cilët kanë pasur në dorë skedën e kundërvajtjeve kriminale të Frrokut dhe të cilët kanë qenë të informuar mbi konfliktin e rënduar mes tij e Lamajt, e kanë lënë këtë të fundit pa mbrojtje? Pse ata kanë ngrënë e kanë pirë, dhe kanë bërë foto me të, teksa e kanë ditur me kë kanë pasur të bëjnë, dhe teksa e kanë ditur se ai ish një kërcënim për jetën e kolegut të tyre?”

Saimir Tahiri jo vetëm nuk ia tha këto, por mua m’u duk se u gjend ligsht që ish takuar me Frrokun, njeriun që dyshohet se ka vrarë Lamajn (gjithnjë, nëse është takuar; ai vetë as e pohoi dhe as e mohoi këtë gjë). Kam përshtypjen se në të shumtën e rasteve kemi të bëjmë me një drojë opozitarësh për t’u dalë zot kontakteve, njohjeve, ndonjëherë dhe rekrutimeve jo fort të fisme, që ata bëjnë me logjikë elektorale në rrethanat që ky regjim po ua pakëson resurset e mjetet e po ua ngushton hapësirat. Dhe është kjo drojë që, përveç të tjerash, nxit kërshërinë e gazetarëve e i bën këta të fundit të fokusohen te miqësitë putative me Frrokët, e jo me ortakëritë kriminale të këtyre të fundit. E kjo, dihet, është një lojë që i intereson mafies në pushtet. Në mos, e shpikur nga kjo mafie.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA