S’ka fitues në supërsfidën Napoli-Juve

01/03/2013 22:50

Ka përfunduar në barazim 1-1,  ndeshja më e rëndësishme e javës së 27-të, në Serinë A.

Goli i parë ka ardhur pas një goditjeje me kokë të mbrojtësit mik, Chiellini, i cili kthehej në fushën e lojës pas një ndërprerjeje të gjatë për shkak të dëmtimit.

Një asist i Pirlos ka sjellë një gol të shpejtë në këtë takim, që në minutën e 10-të. Loja e kampionëve në fuqi ishte dominuese dhe u duk se gjithçka do të ishte në favor të juventinëve, por pas minutës së 30-të, ndodhi e kundërta.

Gjithçka foli për ndjekësit e Napolit, me katër gjuajtje në kuadrat, në pjesën e parë, njëra prej tyre ajo e Inler, vetëm dy minuta para se të mbyllej 45-minutëshi i parë, e cila përfundoi në rrjetë.

Ndërsa u duk se pjesa e dytë do të dhuronte shumë gola, ndodhi e kundërta. Buffon, në një nga ditët e tij më të mira, neutralizoi të gjitha goditjet në portë të sulmuesve napolitanë.

Ndërsa Juventusi, edhe pse u përpoq ta sulmonte nga krahët Napolin, u duk qartë që ishte i kënaqur me barazimin, duke bërë që diferenca prej gjashtë pikësh nga Napoli të mos cënohet.

Napolitanët prisnin një rezultat më të mirë për t’iu afruar më tepër kreut, por përveç statistikave më të mira në lojë, nuk kanë mundur dot të bëjnë asgjë tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA