UEFA ka ndërmarrë masën disiplinore, pas sjelljes së vazhdueshme raciste të disa tifozëve të klubit lacial.
Në fillim të këtij sezoni, Lacio u gjobit me 120 mijë paund nga UEFA, pas koreve raciste në ndeshjen e Ligës së Europës kundër Tottenham Hotspur.
Tifozët e Lacios janë shpallur fajtorë për sjellje raciste nga UEFA, në 4 raste gjatë edicionit të këtij viti në Europë.
Incidenti i fundit ndodhi gjatë përballjes së Ligës së Europës kundër Borussia Monchengladbach, më 21 shkurt. Klubi i Serisë A e fitoi atë ndeshje 2-0, duke u kualifikuar me rezultatin e përgjithshëm 5-3 ndaj gjermanëve.
UEFA bëri të ditur se pezullimi i tifozëve për dy ndeshje do të nisë me takimin e Lacios për Ligën e Europës ndaj Vfb Stuttgart, më 14 mars.
“Ndeshja e mbetur me dyer të mbyllura do të aplikohet në ndeshjen e ardhshme të kompeticioneve të UEFA-s, në rast se klubi do të kualifikohet. Klubi italian është gjobitur gjithashtu me 40 mijë euro”, shtoi UEFA.
Presidenti i Lacios, Claudio Lotito, tha se ndëshkimi ishte i “pabesueshëm” dhe se klubi i drejtuar prej tij do ta apelojë këtë vendim.
“Të vuash një dënim prej 1 apo 2 ndeshjesh me dyer të mbyllura, gjë që shkakton pasoja serioze ekonomike për klubin dhe ndalon tifozët të jenë pjesëmarrës në një event të tillë, më duket tejet absurd”, shtoi ai.
Ndërkohë, UEFA ka paralajmëruar ekipin turk të Fenerbahces, se do të përballen me përjashtim nga kompeticionet europiane, nëse problemet me tifozët do të vazhdojnë.
Ndeshja e fundit e turqve në Europë, kundër BATE Borisov, u luajt me dyer të mbyllura, por sërish pati probleme, pasi tifozët hodhën fishekzjarre nga jashtë stadiumit.
Top Channel