Menjëherë pas humbjes në shtëpi me Realin e Madridit, duke u eliminuar
nga Kupa e Mbretit, Iniesta fryn kraharorin dhe lëshon një mesazh
paralajmërues për Milanin: “Vë dorën në zjarr, kalojmë ne”, ka thënë
mesfushori i Barçës.
“Është një moment, në të cilin gjërat nuk po funksionojnë, as në sulm dhe as në mbrojtje. E dimë të gjithë se ndeshja e kthimit të Champions-it kundër Milanit është një përballje tejet e rëndësishme. Më 12 mars do të tregojmë se jemi gati”.
“Kur humben dy ndeshje të rëndësishme radhazi, është normale që të lindin dyshime, – ka vazhduar më tej ai, në konferencën për shtyp. – Por, mos harrojmë se jemi në avantazh të sigurt në La Liga dhe në Champions është gjithçka e hapur. Nuk mund ta fsheh se jemi penalizuar nga fakti, që Vilanova na stërvit në distancë, por shëndeti vjen para gjithçkaje”.
Të shtunën është një tjetër “El Clasico”: “Mendojmë vetëm për ndeshjen e 12 marsit me Milanin, gjithsesi nuk harrojmë se këtë fundjavë kemi një tjetër sfidë të rëndësishme për të konsoliduar avantazhin tonë në klasifikimin e kampionatit”.
Rosell udhëton drejt New York, te Vilanova
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, një ditë pas humbjes së rëndë kundër Realit të Madridit, ka udhëtuar drejt New York, për të takuar trajnerin Tito Vilanova dhe për të gjetur një zgjidhje për krizën “blaugrana”.
Numri “1” i Barçës e kërkon me ngulm në pankinë, për ndeshjen e kthimit të 1/8-ave të Champions-it ndaj Milanit, më 12 mars. Por mjekët amerikanë nuk duken të gatshëm ta lënë të lirë spanjollin, i cili po i nënshtrohet cikleve kimioterapike, për të shëruar kancerin.
Top Channel