Bëni Kryeministrin, zoti Kryeministër!

28/02/2013 00:00

Marin Mema – Nuk është vërtet diçka e jashtëzakonshme, aq më tepër për
ata që e njohin Kryeministrin shqiptar, i cili në të shpeshtë e përdor
foltoren e mbledhjes së qeverisë apo të grupit parlamentar për të
akuzuar kundërshtarë, rivalë apo qoftë edhe njerëz të thjeshtë që
mendojnë ndryshe nga ai apo edhe gazetarë që flasin për të vërteta që
nuk i pëlqejnë atij.

E këtë radhë u bëra pjesë edhe unë, duke më renditur, duke më rreshtuar, duke më akuzuar si pjesë e një oborri politik, duke më bërë oborrtar të interesave të vogla a të mëdha qofshin. Kjo më bëri të qesh e të dëshpërohem njëkohësisht. Të qesh pasi unë jam gazetar e misioni im është të përballem me realitetin e me faktet që uturinë… por edhe të dëshpërohem e nervozohem njëkohësisht, sepse punën time e kam bërë gjithmonë me pastërtinë e ndershmërinë e një të riu që e do profesionin e tij, që e do vendin e tij, që kërkon ndryshimin, e ky ndryshim sigurisht nuk ka ngjyra… Ky është misioni im!

Kryeministri më ndoti edhe mua, duke harruar se nuk është në atë post për të gjuajtur me shashka gojore e as me thashetheme kafenesh e gazetash; nuk është kjo detyra e një njeriu në krye të qeverisë së vendit të tij.

Sepse…

A thua zoti Kryeministër shkollat ishin pjellë e fantazisë? A thua zoti Kryeministër se ata fëmijë ishin fantazma? Na e thoni ju zoti Kryeministër që keni kaq shumë informacion për gjendjen e tyre, siç thoni. Kam ëndje t’ju dëgjoj e ju lutem, fillojeni siç bëni shpesh “se një miku juaj ju tha që…”

Në fakt asnjë nga këto shkolla nuk ishte mbrapa Dajtit siç Ju thoni, por në bash të vendit në Vorë, në Pezë, në Librazhd, në Pogradec dhe Korçë… Nuk ishin katër fëmijë zoti Kryeministër, por shumë më shumë, vërtet shumë më shumë. Por edhe në qofshin katër zoti Kryeministër, ju a nuk jeni edhe Kryeministri i tyre? Nuk merrni taksa edhe nga prindërit e atyre fëmijëve? A është detyra juaj t’i ironizoni apo thjesht dhe vetëm t’u vini në ndihmë, të bëni diçka tjetër?

Në fakt zoti Kryeministër, mund të qëndroj këtu me ditë të tëra dhe t’Ju rendis shkolla në të gjithë vendin, e nëse doni edhe mund t’Ju shoqëroj për t’Jua treguar ku edhe si janë… në ç’gjendje ndodhen për të parë se asgjë nuk është pjellë e fantazisë sime… por e fakteve, se faktet nuk krijohen, nuk ndryshohen, janë fakte pa ngjyrë e kahe politike.

Është faji im zoti Kryeministër se shkollat në të gjithë Dukagjinin po bien përdhe? Lekaj, Abat, Theth, Gimaj janë katër fshatra ku fëmijët mësojnë si në Mesjetë. Është faji im zoti Kryeministër se në Kuç të Vorës shkolla po rrëzohet? Është faji im zoti Kryeministër që në Gjysylkan të Tiranës dy shkollat nuk janë larg godinave mesjetare?

Është faji im zoti Kryeministër që në Xhyrë të Librazhdit fëmijët ndjekin orët në një shtëpi private? Është faji im zoti Kryeministër që në Drithas të Korçës bëjnë mësim në një lokal? Po në Radokal të Pogradecit?

A mendoni ju zoti Kryeministër se është faji i gazetarit që shkolla në Butkë të Kolonjës mezi mbahet në këmbë. Po në Milec? Po në Starje? Po në Kreshpan? Po në Prodan? Po në Leshnjë? Po në Sanjollas? Po në Skorovodë? Në Mashkullorë? Po në Janjar, ku fëmijët detyrohen të shkojnë të mësojnë në Greqi? Apo në Boboshticë, ku shkolla ka rënë dhe fëmijët shkojnë tek ajo greke “Omiros”?

Në Bruzallë, zoti Kryeministër, në breg të ujëmbledhësit të Bovillës nuk ka shkollë fare dhe fëmijët po bëhen analfabetë?

Sa duhet t’Ju rreshtoj zoti Kryeministër? Ma thoni ju, ju lutem, ju dhe ministri juaj.

Profesioni im është gazetar! Këto janë fakte, jo montime, këto janë të vërteta që nuk i bëj unë e askush tjetër… e që Ju ftoj të shkojmë t’i shohim bashkë!

Zoti Kryeministër, fshati Val i Martaneshit ka 6 vjet pa drita. Zoti Kryeministër, fshati Curraj i Epërm në Tropojë ka 15 vjet pa drita. Zoti Kryeministër, Bulqiza është pushtuar nga mafia dhe minatorët janë kthyer në skllevër modernë, duke dhënë jetën për një kafshatë bukë. Zoti Kryeministër, fusha e Korçës po hedh të gjitha produktet bujqësore. Zoti Kryeministër, monumentet e kulturës po zhduken një e nga një.

Zoti Kryeministër, në hyrje të kalasë së Krujës po ngrihet një hotel. Zoti Kryeministër, në Polis të Elbasanit banorët s’kanë urë dhe e kalojnë lumin ashtu si në pesë fshatra të Memaliajit me një litar varur në ajër.

Zoti Kryeministër, në Shën Gjergj bandat po bëjnë kërdinë duke djegur shtëpitë e terrorizuar banorët. Zoti Kryeministër, Lura po vdes, pyjet e Gërmenjit po ashtu, ato të Dardhës, të Vithkuqit, të Matit, të Bulqizës, të Dibrës.

Zoti Kryeministër, Dangëllia është izoluar nga mungesa e rrugës e bashkë me të edhe Frashëri i vëllezërve të mëdhenj. Zoti Kryeministër, në Vermosh, 7 muaj banorët jetojnë vetëm me Malin e Zi. Zoti Kryeministër, Labëria po vdes se nuk ka një rrugë që ta lidhë me bregdetin. Zoti Kryeministër, Saranda po jep shpirt nga ndërtimet. Zoti Kryeministër, ndotja po shpërthen gjithanësh.

Zoti Kryeministër, Topojani i famshëm, ku ju thoni se janë kthyer njerëz, po mpaket nga varfëria. Zoti Kryeministër, Nimça po vdes nga uraniumi i kohës së komunizmit. Zoti Kryeministër, në Moglicë dëmtimi i rrugës ka izoluar fshatra të tërë. Zoti Kryeministër, aksi kombëtar Berat-Memaliaj-Përmet ka marrë fund e bashkë me të edhe banorët e këtyre zonave. Zoti Kryeministër, në Kus pak tej kilometrit të 28, skamja po këlthet.

Zoti Kryeministër, në Porto Romano njerëzit po jetojnë me atë që mbledhin në mbeturina. Zoti Kryeministër, Borshi s’ka marrë asnjë investim. Zoti Kryeministër, shtëpia e Avni Rustemit, e Gjergj Fishtës, e Mic Sokolit, e Pashko Vasës, e Bajram Currit janë çarë gjithanësh. Zoti Kryeministër, shkatërrimi i shtretërve të lumenjve ka shkaktuar erozion në zona të ndryshme bregdetare, çfarë ka sjellë përpirjen e tokave dhe rrjedhimisht zvogëlimin e Shqipërisë. Zoti Kryeministër, gjysma e Thethit s’ka energji elektrike dhe mbahet vetëm me gjenerator. Zoti Kryeministër, Romët në Gjirokastër kanë mbetur jashtë tokave të tyre. Zoti Kryeministër në Libohovë një “i fortë” ka rrethuar kalanë e Shanishasë.

Zoti Kryeministër, Kurbneshi i Mirditës po lëngon nga pamundësia. Zoti Kryeministër, Memaliaj ka shifra rekord papunësie. Zoti Kryeministër, Ura Vajgurore, Kruja, Shpella e Pëllumbasit dhe ajo e Lepenicës, monumente kulture, po shkatërrohen nga shpërthimet e guroreve. Zoti Kryeministër, Berati po vdes nga mosinvestimi – Gorica, Mangalemi dhe lagjja Kala janë drejt braktisjes së plotë.

Zoti Kryeministër, godina e Kongresit të Lushnjës që Ju reklamuat aq shumë vetëm pak ditë më parë, po bie. Zoti Kryeministër, bregdeti i Fierit është i pafrekuentueshëm nga ndotja me naftën që vjen nga Patos-Marinza.

Zoti Kryeministër, Ormani i Korçës hodhi sivjet gjithë prodhimin se rruga që e lidh me Sheqerasin dhe rrugën nacionale është rrënuar. Zoti Kryeministër, Albanopolisi, qyteti antik në Fushë-Krujë, po zhytet nën tokë nga erozioni dhe rrethimet e banorëve. Zoti Kryeministër, shtëpia e Çerçiz dhe Bajo Topullit në Gjirokastër s’ka marrë as edhe një gram investim.

Në Zerec të Moglicës, zoti Kryeministër, faturat e energjisë fillojnë nga 100 000 në 600 000 lekë për shtëpi majë malit, në Pogradec dhe Shkodër liqenet thuajse nuk kanë me koran dhe krap, zoti Kryeministër, nga gjuetia e paligjshme. Në Shishtavec, në Krumë e kudo në Kukës e Tropojë jetojnë në skamje gjithë të gjymtuarit e minave të luftës së Kosovës.

Zoti Kryeministër, në Okshtun të Ostrenit ka gati 100 votues, por aty nuk jeton asnjë njeri, tokat e Podgories e Sheqerasit, Libonikut, Koritës po rikthehen në këneta, zoti Kryeministër, qyteti antik i Klosit në Mallakastër po shuhet, zoti Kryeministër, kalaja e Shën Triadhës nuk ekziston më zoti Kryeministër.

Manastiret e Vithkuqit e ato të Voskopojës po bien zoti Kryeministër, e po ashtu xhamitë shekullore të Delvinës, Elbasanit dhe Borshit, zoti Kryeministër. Në Kalimash banorët e këtij fshati po vdesin në galeritë ilegale të kromit, zoti Kryeministër. Prespa e vogël po zhduket nga keqmenaxhimi ashtu siç po firojnë pyjet e Prespës se Madhe. Zoti Kryeministër, peshkatarët në Sarandë po kërcënohen nga autoritetet greke që i detyrojnë të respektojnë kufirin detar të paktit tuaj e të hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese… e në fund zoti Kryeministër në Viçidol keni premtuar rrugën e bjeshkëve dhe ajo ende nuk është bërë…

Sa të tjera duhet të rendis zoti Kryeministër? Apo edhe këto kanë ngjyrime politike?

Më lejoni t’Ju them se keni bërë thjesht një gabim. Unë nuk jam, nuk kam qenë e nuk do të jem kurrë nga ata lyrashë që vërtiten rreth jush apo dikujt tjetër për të lëpirë një kockë. Gjithçka e kam ndërtuar vetë duke vajtur në gjithë këto zona që Ju kërkoni t’i vishni me fanella partish.

Unë nuk kam frikë të shkruaj për të vërtetën. Ndershmëria ma ka bërë këtë favor, të mos kem frikë nga asgjë dhe asnjë njeri.

Unë s’kam paragjykime si Ju zoti Kryeministër. Nuk i shoh njerëzit me flamuj politikë qofshin të kuq, blu, të verdhë apo jeshilë. Për mua nuk ka socialistë, demokratë, komunistë apo ballistë, por ka shqiptare dhe shqiptarë që kanë nevojë për një vend më të zhvilluar, për një vend më të sigurt; për një vend të integruar në Bashkimin Europian, ku demokratë, socialistë, republikanë, socialdemokratë etj., nuk janë armiq, nuk janë të ndarë, sepse demokracia është një sistem vlerash, ligjesh e institucionesh që ndihmon gjithë shoqërinë të ecë përpara.

Të qëndrosh në opozitë është themeli i një gazetarie të shëndoshë, e një gazetarie të vërtetë, e një gazetarie jo të mbështetur te servilizmi siç bëjnë ata që vërtiten rreth pushtetit e më pas tundin flamurin e pavarësisë. Unë s’jam si ata e s’kam për të qenë kurrë. Unë s’jam nga ai soj që ka ndyer e ndyen të tjerët me fjalë, me vepra, me para mbi e nën tryezë.

Jam vetëm 31 vjeç, e duke qenë se nuk më akuzuat dot si komunist, më akuzuat si oborrtar, por keni harruar ndoshta se unë s’kam qenë kurrë në pushtet, s’kam qenë kurrë i lidhur me skandale, s’kam qenë kurrë i ngjyer askurrkund e nga askush.

Unë jam thjesht gazetar apo ndryshe lajmëtar i së vërtetës. Unë e dua vendin tim, ndaj jam gazetar i fjalës së lirë dhe i tillë do të mbetem. Sepse e dua këtë profesion, sepse besoj te liria e fjalës.

Duke kërkuar ndjesë për kohën që Ju mora nga koha Juaj e çmuar… Ju lutem, tani niseni sërish rrëfimin tuaj me “një miku im më tha…”

Si gazetar, thjesht me mirësjellje, do t’ju lutesha… Bëni Kryeministrin, zoti Kryeministër!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA