Partia minore maqedonase “Dinjiteti”, e themeluar nga veteranët maqedonas të konfliktit të vitit 2001, ka filluar të mbledhë nënshkrime nga qytetarët, për mbajtjen e një referendumi kundër emërimit të ish-pjestarëve të UÇK-së në tre poste ministrore në Maqedoni, siç janë Ministria e Mbrojtjes, ajo e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë.
Kjo iniciativë vjen pas emërimit të ish-komandantit të UÇK-së, Talat Xhaferi, në krye të Ministrisë së Mbrojtjes në Shkup.
“Në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe bashkëjetesës, e ngremë këtë iniciativë në nivel shtetëror për shpalljen e referendumit dhe jemi të bindur se do të arrijmë të grumbullojmë 150 mijë nënshkrimet e nevojshme nga qytetarët. Ne kërkojmë që Parlamenti të mos emërojë pjesëtarë të UÇK-së në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, Policisë dhe Drejtësisë. Ata mund të drejtojnë ministri të tjera, madje nuk cënojmë as të drejtën që komandanti i UÇK-së të bëhet edhe president i shtetit, pasi kjo bëhet në zgjedhje të drejtpërdrejta”, tha Stojanco Angelov, kryetar i Partisë “Dinjiteti”.
Emërimi i Talat Xhaferit, si ministër i Mbrojtjes, ka shkaktuar reagime të shumta edhe nëpër rrjetet sociale, ndërsa revoltën ndaj tij maqedonasit e kanë shprehur edhe përmes grafiteve nëpër ndërtesat e kryeqytetit.
Nga partia e Talat Xhaferit, BDI, thonë se këto frustracione janë të panevojshme, pasi emërimi i tij si ministër i Mbrojtjes është hap i guximshëm dhe shpie drejt pajtimit mes dy komuniteteve në të mëdha në Maqedoni.
Talat Xhaferi u emëruar në krye të Ministrisë së Mbrojtjes javën e kaluar, pas dorëheqjes së Fatmir Besimit nga ky post.
Top Channel