Disiplina, fitore në tavolinë për Skënderbeun

27/02/2013 00:00

Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit i dha fitoren 3-0 në tavolinë skuadrës së Skënderbeut, i hoqi 3 pikë në klasifikim dhe penalizoi me 600 mijë lekë gjobë skuadrën ballshiote të Bylisit për shkelje të nenit 128 të rregullores së FSHF-së.

Bëhet fjalë për ndeshjen e kësaj jave të Superligës Skënderbeu-Bylis, e përfunduar në fushë në barazim 2-2.

Në minutën e 64-ët trajneri turk i skuadrës së Bylisit bëri zëvendësimin e dytë duke futur në vend të Arifajt nigerianin John Huan. Në ato momente në fushë për Bylisin po luanin 5 lojtarë të huaj, Ristevski, Adebayor, Bola, Izucuku dhe Piter ndërkohë që me hyrjen e 22-vjecarit Huan numri i futbollistëve me nënshtetësi të huaj shkoi në 6.

Sipas rregullores së FSHF, neni 128, limiti i lojtarëve me shtetësi të huaj që mund të aktivizohen njëkohësisht në fushën e lojës është 5. Nëse shkelet ky rregull skuadra shkelëse dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë, heqjen e 3 pikëve në klasifikim dhe gjobë.

Pas këtij vendimi skuadra e Skënderbeut ngjitet në kuotën e 40 pikëve, 10 më shumë se Teuta e vendit të dytë, ndërkohë që Bylisi zbret në vendin 9 me 19 pikë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta