Gjashtë serbë nga Mitrovica, të dyshuar për pjesëmarrje në trazirat e
marsit të vitit 2008 në Mitrovicë, do të dalin para gjyqtarëve dhe
prokurorëve të EULEX-it në veri të Mitrovicës.

EULEX-i ka ngritur aktakuzë kundër Miodrag Raliç, Marjan Ilinçiç, Zoran Çaviç, Dragan Millojeviç, Nebojsha Joviç dhe  Avni Krasniqit.

Të dyshuarit akuzohen për 22 vepra penale, duke përfshirë këtu sulm të gjykatës në veri të Mitrovicës, thirrje për rezistencë, pengim të personave zyrtarë, pjesëmarrje në turmën që kreu vepra penale, rrezikim të Kombeve të Bashkuara dhe të personave shoqërues, etj.

Po ashtu, ata ngarkohen edhe për shkatërrim të pronës, përhapje të urrejtjes etnike dhe përçarjes. Paralajmërohet se gjykimi do të zgjasë 15 ditë, çdo javë nga tri ditë, ndërsa proçesi gjyqësor pritet të përfundojë më 28 mars.

Në incidentet që ndodhën në Mitrovicë me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës vdiq një polic i Ukrainës, u plagosën dhe lënduan mbi 60 policë të UNMIK-ut, 24 pjesëtarë të KFOR-it, si dhe rreth 100 demonstrues serbë.

Top Channel