“Balotelli u fut në fushë në derbin e Milanos me temperaturë 38 gradë, por u soll shumë mirë, mbi të gjitha në pjesën e parë. I mungoi goli, por gjithçka shkoi mirë”.
Kështu është justifikuar agjenti i SuperMarios, Mino Raiola, një ditë pas derbit të përfunduar në barazim 1-1. “Çfarë vote do t’i jepja? Nëse do të shënonte gol ishte për vlerësimin maksimal 10, – deklaroi ai, në një transmetim radiofonik, – por për mënyrën se si shkoi ndeshja, për mënyrën se si u përgatit, për qetësinë dhe përqendrimin që pati, për mua meriton notën 9”.
“Ishte një ndeshje e rëndësishme, por Balotelli e përjetoi si gjithë të tjerat, – vazhdoi Raiola. – Për shkak të gripit e temperaturës i mungoi ai 2%, i cili do ta kishte bërë më të freskët në disa situata të caktuara. Por, mos harrojmë se edhe Handanovic, gjatë pjesës së parë, ka kryer nga dy pritje të mrekullueshme”.
Balotelli, veç problemeve shëndetësore, u përball edhe me kore raciste nga ana e tifozëve të Interit, të cilët u “kujdesën” më së miri, që ish-lojtari i tyre të mos ishte i përqendruar dhe të mos shënonte ndaj zikaltërve.
Top Channel