
Një shpërthim i ri ka ndodhur të hënën rreth orës 23 e 10 minuta në
pjesën veriore të Mitrovicës, përkatësisht në rrugën “Sutjeska”, njofton
Policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës.
Zëdhënësi Avni Zahiti i tha Radios Evropa e Lirë se, mjeti i shpërthimit ende nuk dihet, ndërsa ai ka dëmtuar ballkonin e një banese të një qytetari serb të Kosovës.
Njësiteve të zjarrfikësve u është dashur të ndërhyjnë për të shuar zjarrin në ballkon. Zahiti tha se përveç dëmeve materiale, nuk ka të lënduar.
Ky është rasti i fundit në valën e shpërthimeve të tilla, që në muajt e fundit po ndodhin thuajse çdo ditë në pjesën veriore të Mitrovicës. As për këtë shpërthim policia nuk ka të dyshuar e as të arrestuar.
Ditën e diel, pak pas orës 3:00 të mëngjesit, një bombë shpërtheu në filialin e të ashtuquajturit Sigurimi Pensional e Invalidor i Serbisë, ku përveç dëmeve materiale nuk pati të lënduar në njerëz.
Ndërsa ditën e shtunë, situata në Veri u tensionua edhe nga parakalimi i disa elementëve radikalë, të lidhur me partinë ultranacionaliste serbe të Vojisllav Sheshelit.
Ngjarje e rëndë ishte edhe sulmi i një jave më parë në të njëjtën zonë, ndaj shtëpisë së një pjestari të Policisë së Kosovës, ku u hodh një mjet shpërthyes.
Top Channel