Dikur, të jetoje vetëm ishte diçka shumë e rrallë dhe shpesh kjo nuk kishte të bënte me zgjedhje personale, por me fatin. Sot, gjërat kanë ndryshuar. Një pjesë e njerëzve, veçanërisht të rinjtë, zgjedhin të jetojnë vetëm e kjo me raste mund të zgjasë edhe për një kohë më të gjatë nga sa ata e kanë parashikuar.

Arsyet janë nga më të ndryshmet. Kjo vihet re edhe në studimet e fundit të cilët e vënë theksin tek ndryshimi i stilit të jetesës dhe tek dëshira për të qenë të pakushtëzuar në jetën e përditshme.

Sigurisht ekonomia mbetet përcaktuese për të realizuar këtë dëshirë.

Dr. Saemira Gjipali (Pino), pedagoge e sociologjisë, shpjegon: “Është krijuar një klimë e re edhe në vendin tonë. Individi tashmë është në qendër dhe kërkon të realizojë më shumë vetveten. Gjithashtu duan t’i shpëtojnë përgjegjësive dhe problematikave familjare ose duan të qëndrojnë me partnerin e tyre.”

Mbi të gjitha, dëshira për të shijuar çdo moment ashtu si vjen është një motiv nxitës për të jetuar vetëm. Sipas të dhënave të Censusit, 35.000 shqiptarë jetojnë vetëm në gjithë Shqipërinë: “Duke hequr të moshuarit që kanë mbetur vetëm dhe ndonjë kategori tjetër, vetëm jetojnë vetëm 0.5% e popullsisë, pra një shifër fare e vogël.”

Të jetuarit vetëm i mëson të rinjtë të përballojnë jetën dhe të kenë mundësi të marrin vendime të rëndësishme vetë: “Mësohen ta përballojnë jetën vetë. I shpëtojnë problematikave familjare dhe hapësirave të ngushta.”

Por nga ana tjeter te jetosh vetem ka dhe dizavantazhe: “Ekonomia favorizon të jetuarit vetëm, por duke e marrë jetën në tërësi është e vështirë ta përballosh atë vetëm. Kontributi i të tërëve e lehtëson. Lidhjet sociale janë problem kur jeton vetëm. Nëse shkëputesh e izolohesh, humbet lidhjet sociale dhe ka premisa për një vetmi të mëvonshme.”

Të dhënat nuk tregojnë nëse janë femrat apo meshkujt që kanë preferencë të tillë. Por meshkujt e kanë më të vëshirë të jetojnë vetëm dhe kanë nevojë për dikë që t’i ndihmojë në përditshmëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA