Reali i Madridit ka kaluar në finalen e Kupës së Mbretit, pasi eliminoi Barcelonën, duke e turpëruar 1-3 në “Camp Nou”.
Katalanasit nuk janë më ata të fillim sezonit dhe, pas goditjes që morën me Milanin, këtë herë munden edhe nga kundërshtarët e tyre historikë, Reali i Madridit.
E hap serinë e golave Cristiano Ronaldo me një 11-metërsh, në pjesën e parë. Ndërhyrja e Pique-së është me vonesë dhe gjyqtari akordon, me të drejtë, këtë penallti, e cila shndërrohet në gol nga Ronaldo.
Mungon agresiviteti i Barçës për të reaguar, deri në fundin e pjesës e parë. Ndërkohë, pjesa e dytë është totalisht e dominuar nga madrilenët. Paqartësia, lodhja dhe konfuzioni janë evidente te katalanasit, ndërsa skuadra e Mourinjos, si rrallë herë, ka marrë frenat e “El Clasico”-s në dorë.
Një kundërsulm i Di Marias, me meritë plotësisht të argjentinasit, shndërrohet në gol nga Cristiano Ronaldo, pas pritjes së parë të Pinto-s. As ky gol i dytë nuk i ngacmoi lojtarët e Barcelonës, të cilët më shumë prisnin vërshëllimën përfundimtare, se sa kërkonin gol.
Nga një goditje standarde vjen goditja përfundimtare, nga Rafael Varane. Mbrojtësi i Realit kërcen më lart nga të gjithë, i shpëton Pique-së dhe shënon golin e tretë. Gjithçka mbyllet këtu, sa i përket kualifikimit, ndërsa shenja e vetme e mbrëmjes, për të kuptuar që Reali luante kundër Barçës, ishte goli i nderit në fund, i cili ishte një aksion tipik i tyre, asist perfekt i Iniestës, që shndërrohet në gol nga Jordi Alba, gol i cili nuk e ndryshon aspak klimën e zymtë te katalanasit, ndërkohë Reali feston dhe sheh përpara finalen.
Top Channel