
Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe Qeveria e Serbisë kanë nisur bisedimet pas tensioneve të gjata ndëretnike.
Liderët e kësaj zone në jug të Serbisë kanë kërkuar që të nisin bisedimet dhe në fillim të tyre, përfaqësuesi i Qeverisë, Zoran Stankovic, koordinator i Trupit Koordinues për Jugun ka takuar shqiptarët në Bujanoc, ku për pesë orë është diskutuar lidhur me të drejtat e shqiptarëve dhe problemet ekonomike. Liderët e Preshevës ishin optimistë për një qasje dialogu të Qeverisë.
“E para është padyshim inkuadrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore. Tema që janë të njohura për dhjetë vite të kaluara me radhë, çështja e arsimit, përdorimit të gjuhës dhe shkrimit shqip, të simbolit kombëtar, të sigurisë, ku përfshihen padyshim edhe probleme aktuale që i kishim në janar të këtij viti, rreth dy lapidarëve. Do të bisedohen edhe tema të karakterit të zhvillimit ekonomik në fushën e shëndetësisë dhe të gjitha fushat do të preken. Sa do të jetë suksesi i këtyre bisedimeve do të mbetet të shihet në të ardhmen. Bisedimet ndoshta mund të zgjasin deri në fund të këtij viti”, thotë Ragmi Mustafa, kryetar i Preshevës.
“Në takimet e ardhshme do të kemi mundësi të bisedojmë drejtpërdrejt për zgjidhjen e çdo problemi që e kemi specifikuar sot”, tha Riza Halimi, deputet në Kuvendin e Serbisë.
Përfaqësuesi i Qeverisë serbe tha se është e drejtë legjitime që shqiptarët të kenë kërkesa ndaj institucioneve.
“Ajo që është me e rëndësishmja është që jemi marrë vesh që çdo çështje të zgjidhet në kuadër të organeve shtetërore të Serbisë. Qeveria e Serbisë me ministritë e saj në koordinim me Trupin Koordinues të Jugut do të ketë biseda me shqiptarët dhe do të mundohemi të zgjidhim çdo problem në kuadër të kornizës ligjore dhe të konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, tha Zoran Stankovic, nga Trupi Koordinues për Jugun.
Qeveria ka premtuar se do të merret me infrastrukturën dhe ekonominë, por edhe edukimin. Shqiptarët dhe serbët në luginë kanë pasur tentime për dialog në kohën e krizës së lapidarit, por nuk është arritur në zgjidhje pas heqjes së monumentit të dëshmorëve.
Top Channel