Derbi i Madoninës u “nxeh” në 45 minutat e dyta, kur tifozët e Interit u përqendruan në fyerjen e sulmuesit të Milanit, Mario Balotelli. Edhe pse në një komunikatë zyrtare para ndeshjes ata kishin bërë të ditur se do ta vërshëllenin ish-lojtarin e tyre, por nuk do të tregonin racizëm ndaj tij, interistët nuk e mbajtën fjalën.
Në pjesën e dytë, disa tifozë të zikaltërve nxorrën tullumbacë të mëdhenj në formë bananeje duke e krahasuar në këtë mënyrë sulmuesin e kombëtares italiane me majmunin.
Në mesin e pjesës së dytë, Balotelli nuk duroi dot më dhe iu drejtua tifozëve duke bërë gjeste ndaj tyre në mënyrë që të mbyllnin gojën. Menjëherë, kapiteni Zanetti e qortoi dhe e largoi, ndërsa Cambiasso i kërkoi tifozëve të Interit të qetësoheshin.
Këto ndodhën pasi në pjesën e parë Balotelli humbi dy raste të pastra shënimi, ndërsa një goditje e tij me kokë u prit në mënyrë të shkëlqyer nga Handanovic.
Tifozët e Interit nuk e falin Balotelli-n për faktin se në vitin 2010 hodhi në tokë me përçmim fanellën zikaltër pas një ndeshjeje me Barcelonën në Ligën e Kampioneve.
“Hodhe fanellën tonë, Balotelli mosmirënjohës, gjithmonë do të të ofendojmë”, shkruante një nga pankartat e tifozëve të Interit.
Top Channel