Një problem detyroi një central bërthamor në Slloveni që të mbyllej automatikisht mesditën e së hënës, lajmëruan mediat vendase.
Centrali bërthamor i Krshkos pësoi një avari në valvulën e izolimit të karburantit kryesor bërthamor, duke rrezikuar që të mbinxehej.
Si rrjedhojë, sistemi automatik aktivizoi menjëherë gjeneratorët e urgjencës dhe bëri një mbyllje të kontrolluar automatike të të gjithë reaktorëve.
Aktualisht, punonjësit po punojnë për të rikthyer në normalitet situatën.
Drejtuesit e qëndrës bërthamore të Krshkos, nga ana e tyre theksuan se nuk ka asnjë rrezik për ndonjë rrjedhje bërthamore, që mund të kishte pasoja për shëndetin e sllovenëve dhe të vendeve fqinje.
Në vitin 1986, në centralin e Çernobilit, në Ukrainën Sovjetike u regjistrua incidenti më i rëndë bërthamor në kohë paqeje, pasi një reaktor shpërtheu nga mbinxehja, duke lëshuar në atmosferë sasi të mëdha të lëndëve radioaktive.
Ai incident bëri të pabanueshëm qytetin e ndodhur pranë të Pripiatit, me 50 mijë banorë dhe sipas përllogaritjeve, ishte përgjegjës për dhjetëra mijëra vdekje e qindra mijëra sëmundje e deformime në të gjithë Europën, në dekadën që pasoi.
Top Channel