Papa Benedikti XVI urdhëroi ndryshimin e rregullave shekullore të Kishës Katolike mbi datat dhe procedurën e mbledhjes së kardinalëve, të cilët do të zgjedhin pasardhësin e tij.
Ndryshimi i rregullave u bë me synim që të përshpejtohet zgjedhja e një Pape të ri.
Në bazë të këtij amendimi, kardinalët nuk do të jenë të detyruar të presin 15 ditë, pasi Benedikti XVI të largohet nga funksioni.
Dorëheqja e paralajmëruar e Atit të Shenjtë të Romës do të hyjë në fuqi në datën 1 mars dhe konklava (mbledhja e kardinalëve në ambientet e Vatikanit), tashmë mund të mbahet përpara 15 marsit.
”Lë në dorë të Këshillit të Kardinalëve mundësinë që ata të afrojnë mbajtjen e konklavës dhe të caktojnë një datë për ta sa më të përshtatshme”, shkruante Benedikti XVI në një komunikatë, të lexuar nga zëdhënësi i tij, at Federico Lombardi.
Zyrtarë të Vatikanit shpjeguan se rregullat për zgjedhjen e një Pape të ri janë vendosur duke pasur parasysh ndarjen nga jeta të Papës që është në fuqi. Duke qenë se nuk është ky rasti, atëherë u pa e arsyeshme që të reformohej sistemi për rastet e rralla të dorëheqjeve.
Dorëheqja e Benediktit XVI është e gjashta në historinë 18-shekullore të Vatikanit dhe e para në 600 vitet e fundit.
Megjithatë, vendimi për të afruar datën e mbledhjes së konklavës është kritikuar brenda qarqeve të Selisë së Shenjtë, pasi disa kardinalë besojnë se një veprim i tillë do të dëmtojë mbajtjen e bisedimeve, duke favorizuara ata kandidatë që konsiderohen aktualisht si më favoritë.
Top Channel