Prej disa muajsh, në pavionin e Alergopneumonisë, në spitalin pediatrik
të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, mungojnë
medikamentet për fëmijët me azëm.
Prindërit e pacientëve të vegjël tregojnë se gjatë gjithë kohës së qëndrimit në spital i kanë blerë ventolinat, apo medikamentet e tjera specifike për sëmundjen, me recetë në farmacitë jashtë spitalit.
Mungesat e barnave vërehen edhe në Reanimacionin e Pediatrisë. Ky prind ka fëmijën 8-muajsh të shtruar prej dy javësh në reanimacion me sëmundjen e meningitit, infeksion i cipave të trurit.
“Kemi 5 ditë vetëm duke blerë ilaçe nëpër farmaci, analiza po. Më kanë dhënë një letër që përmbante rreth 780 mijë lek ilaçe, urdhëro, ku t’i gjej unë këto lekë? Deri dje pata gati 500 mijë lek, i shpenzova dhe tani s’kam më. Me qera jam”, tha prindi i pacientit të vogël.
Shefja e pavionit të Alergopneumonisë në spitalin pediatrik, Luljeta Kote, thotë se në këtë periudhë ka patur fluks shtrimesh të fëmijëve me azëm. Sipas saj, problem kryesor mbetet mungesa e shtretërve dhe e medikamenteve.
“Problemi kryesor për ne janë shtretërit, vendet ku do shtrohen fëmijët. Aktualisht e kemi zgjidhur këtë problem duke kërkuar mbështetje nga tërë pavionet e tjerë. Për medikamentet ka vështirësi si përherë, mungojnë kortizonikët, prenizolon, ultrakorten, ilaçet për të bërë inhalacionet ndërsa antibiotikët i kemi të kufizuara.
Drejtuesit e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, në një deklaratë për mediat disa ditë më parë, kanë sqaruar se janë në pritje të hapjes së tenderave për blerjen e medikamenteve dhe deri në përfundim të proçedurave po mbyllin kontratat shtesë me të gjitha kompanitë farmaceutike për furnizimin e QSUT-së me medikamente për muajt e parë të vitit 2013.
Top Channel