Benedikti i 16-të dha bekimin e fundit të së dielës në Vatikan, përpara se të japë dorëheqjen këtë të enjte.
Gjatë lutjes së tij, Papa 85-vjeçar u tha mijëra pelegrinëve, të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit, se vendimi i marrë ditë më parë nuk do të thotë aspak se po e braktis kishën.
“Zoti më thirri t’i ngjitem malit, lutja nuk është izolim nga bota. Nuk po e braktis kishën dhe do të vazhdoj t’i shërbej asaj deri në fund, vetëm se në një mënyrë që i përshtatet më mirë moshës dhe fuqisë sime, përmes lutjeve dhe meditimit”, tha Papa.
Pasi shokoi besimtarët dhe botën mbarë me njoftimin e dorëheqjes, duke u bërë i pari Papë që e hedh një hap të tillë në 600 vjet, Benedikti u përpoq ta justifikonte vendimin tronditës me faktin që është tepër i brishtë fizikisht e mendërisht për të vazhduar të kryesojë kishën katolike.
Ati i Shenjtë, udhëheqës i më shumë se një miliardë të krishterëve në gjithë botën, do të dalë të mërkurën për herë të fundit në publik, në sheshin e Shën Pjetrit.
Kardinalët po mbërrijnë në Romë për të zgjedhur pasardhësin e Benediktit të 16-të, ndërsa Vatikani përballet me një valë njoftimesh të papërshtatshme në media.
Një ditë më parë, Selia e Shenjtë kritikoi shtypin për trysni ndaj kardinalëve përmes shpifjeve, përpara zgjedhjes së Papës së ri. Zyra e sekretarit të shtetit të Vatikanit tha të shtunën se “përhapja e lajmeve shpesh të paverifikueshme apo krejtësisht të rreme” është “për të ardhur keq” dhe shkakton dëme serioze ndaj personave dhe institucioneve.
Top Channel