“70% e shqiptarëve duan Rilindjen”

24/02/2013 15:35

Një ditë pas Konventës, ku u prezantua programi qeverisës i Partisë
Socialiste, Edi Rama deklaroi se, sipas sondazheve të selisë rozë, 70% e
shqiptarëve, përfshi edhe demokratë,  mbështesin Rilindjen.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, lideri i opozitës tha se në programin e paraqitur nuk ka asnjë gjë të pamundur. Kreu i PS-së theksoi se nuk kishte asnjë të përjashtuar nga Konventa, ndërsa u shpreh i gatshëm për debat me Berishën. Ai deklaroi se zgjedhjet janë në rrezik, ndaj, sipas Ramës, çdo individ dhe çdo parti duhet të bëhet pjesë e fitores së opozitës.

“Nuk kemi shtuar në programin tonë asgjë të pamundur dhe nuk do të angazhohemi në fushatën zgjedhore për asgjë që nuk e bëjmë dot. Pyetja ekziston dhe bëhet vazhdimisht që si do realizohen këto angazhime dhe kuptohet, besoj e keni parasysh, faturën. Ka dy anë kjo përgjigje: Njëra anë është, që të mos harrojmë, se në këto 7 vite e ca qeverisje të Partisë Demokratike është e konfirmuar nga agjenci ndërkombëtare, që merren me qarkullimin e parasë në rrugët e errëta, se 1,2 miliardë dollarë kanë ikur nga Shqipëria, këto si pasojë e krimit të organizuar, korrupsionit dhe evazionit. Po ashtu, 1,2 miliardë të tjera, pak a shumë, janë llogaritur prej nesh si dëm ekonomik, që do të thotë se një qasje e ndryshme qeverisëse dhe një menaxhim i efektshëm, pa dyshim do të rrisin ndjeshëm mundësitë tona financiare. Ajo, që ne nuk kemi prekur në konferencë, është reforma strukturore që ne do të bëjmë. Reforma strukturore e qeverisë, e institucioneve, që s’ka pasur asnjë që ka qenë i përjashtuar, apo i paplanifikuar për sa i përket tribunës së konferencës. Të gjithë kanë qenë aty si protagonistë të rrugës së programit. Pa dyshim, Partia Socialiste mbetet një mjedis i hapur dhe tërësisht demokratik për këdo, që në një moment të caktuar, ka diçka për të thënë. Listat e Partisë Demokratike do të jenë strehë për të mbrojtur njerëz që kanë probleme me ligjin dhe që kanë nevojë për një mburojë, në rrugën e vështirë që do të kenë pas 23 qershorit, në raport me ligjin. Zgjedhjet e 23 qershorit janë zgjedhje që ne do t’i fitojmë, por nga ana tjetër janë zgjedhje, në të cilat kërcënimi ndaj fitores sonë është real, si pjesë e një strategjie dhe një vullneti të mbprashtë, për t’i prekur dhe manipuluar zgjedhjet”, tha Rama.

PD akuza Ramës: “Shqiptarët nuk jetojnë në një vend të gënjeshtërt”

Partia Demokratike akuzoi liderin e opozitës dhe tha se Shqipëria nuk është një vend i gënjeshtërt, por shembull i demokracisë në zhvillim.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e selisë blu tha se Rama mohon lëvizjen e lirë të shqiptarëve e realitetin dhe se gënjeshtrat janë vetëm në mendjet e prapambetura.

“Ky ofendim nuk iu bëhet shqiptarëve nga ultranacionalistë serbë apo nazistë grekë dhe as nga partitë shqiptare të ekstremit të majtë, apo fantazmat e dala nga varri i Enver Hoxhës dhe Spiro Kolekës, por kjo deklaratë u bë dje nga Edi Rama, në Konventën e themelimit të partisë së re, partisë së një grushti neo-bllokmenësh, 99-tëshash dhe mjaft-uçëve të Edi Ramës, tek i paraqiste atë që mediat e quajtën sot programi i Nastradinit. Shqipëria e gënjeshtërt ekziston vetëm në paranojën tuaj politike. Shqiptarët jetojnë sot në një Shqipëri me halle, por jetojnë në një Shqipëri, qytetarët e së cilës lëvizin të lirë në mbarë Europën, arritje historike kjo për të cilën Edi Rama bëri gjithçka që t’ua mohonte shqiptarëve. Shqipëria e gënjeshtërt ekziston vetëm në mendjet psikopate dhe të sëmura për pushtet, ku për hir të karriges së pushtetit, organizojnë puçe për të marrë pushtetin me dhunë, shpallin aleancë me fundërrina dhe janë gati të pështyjnë në fytyrë, në çdo moment, vendin e tyre vetëm e vetëm që ta nxijnë atë”, u shpreh Vorpsi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA